Eurodeputetja gjermane: KFOR-i të largohet dhe Kosova të çarmatoset

Eurodeputetja gjermane: KFOR-i të largohet dhe Kosova të çarmatoset

Eurodeputetja gjermane nga Partia e Majtë, Cornelia Ernst, thotë se pajtohet plotësisht me deklaratën kontroverse të koleges nga partia e saj, deputetes gjermane Zaklin Nastiç, që në një fjalim në Bundestag mbi mandatin e KFOR-it tha se Kosova duhet të çarmatosur.

Në një përgjigje për portalin Klankosova.tv, Ernst thotë se për Kosovën duhet të nisë një fillim i ri, por duke u çarmatosur në mënyrë të vazhdueshme.

“Edhe unë e refuzoj misionin e KFOR-it në Kosovë. Ky mision deri tani nuk ka treguar pothuajse asnjë rezultat. Krimi i organizuar është i përhapur (në Kosovë), kështu ka thënë edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Qindra mijëra armë ndodhen në pronë private. Edhe Amnesty International dhe Këshilli i Europës kanë shprehur kritika në këtë çështje. Kosova duhet në mënyrë të vazhdueshme të çarmatoset. Vetëm kështu një fillim i ri është i mundur”.

Përkundër mendimit negativ për Kosovën, Ernst thotë se kishte votuar pro liberalizimit të vizave për kosovarët kur më 2018 ishte hedhur në votim në Parlamentin Europian ku edhe kaloi me shumicë votash rekomandimi i Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në fjalimin që po e përkrah eurodeputetja, Nastiç kishte krahasuar forcat ajrore të NATO-s që bombarduan caqet sebe për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë me ato të Hitlerit.

“Përpara 20,000 tonë bombave dhe municione uraniumi, banorët e Beogradit u desh të fshiheshin në të njëjtat strehimore të sulmeve ajrore siç bënë dikur forcat ajrore të Hitlerit”, ka thënë Nastiç.

Në postimin e Nastiç në Twitter pati shumë komente që kritikonin një mendim të tillë kundër Kosovës, si dhe gazetarë që kërkonin përgjigje se mbi çfarë argumente ndërtoi fjalimin. Prandaj, edhe stafi i deputetes reagoi në njërin prej tyre duke thënë se ka ditë që ajo po përballet “me fyerje dhe kërcënime masive”.

“Ju duhet ta kuptoni se debatet që përkeqësojnë këtë situatë të kërcënimit nuk do të vazhdojnë më tej në Twitter”, tha stafi.

Këtë qëndrim të Partisë së Majtë e ka komentuar edhe eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, që ka thënë se një mendim i tillë është minoritar dhe që asnjëherë nuk do bëhet politikë zyrtare e Gjermanisë.

Related Articles