Nga viti 2015, paga e Ridvan Berishës – punëtor në sektorin e ndërtimit në Kosovë – është rritur jo më shumë se 100 euro.
Për punën që bën në një kompani private, para 8 vjetësh është paguar rreth 450 euro bruto, kurse sot merr rreth 550 euro.
“Çfarë të them, ndoshta 100 euro duken shumë, por krahasuar me çmimet sa janë rritur, sidomos vitin e kaluar, kjo rritje është shumë pak”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare bruto në vend, për dhjetë vjet, është rritur 138 euro.
Nga 383 euro sa ka qenë në vitin 2012, ajo është bërë 521 euro në vitin 2022.
Sipas aktiviteteve ekonomike, pagat më të larta në Kosovë janë në sektorin e energjisë – ku arrijnë në afro 970 euro – pasuar nga sektori i informimit dhe komunikimit, ku janë afro 900 euro.
Paga më e ulët, në vlerë prej 323 eurosh, është tek akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim.