Zyra e kryeministrit ka treguar për agjedën e kreut të ekzekutivit, Albin Kurtit, i cili sot e pret në Prishtinë kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksenburgut, Xavier Bettel.
Kurti ata do t’i pres në aeroport në ora 07:55, dy kryeministrat e shteteve evropiane që nisin serinë e takimeve në Kosovë, pas vizitës që kishin në Beograd.
Temë kryesore pritet të jetë situata në Veri të Kosovës.
Në ora 09:20 do të ketë takim të Kurtit me dy kryeminsitrat.
Më pas në ora 10:05 do të ketë një konferencë për media.
Në këtë vizitë ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.
Kjo vizitë nga këto tri shteteve, sipas burimeve diplomatike, ishte planifikuar si “një qasje e përbashkët e Beneluksit” në disa çështje të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto tri shtete janë shumë të interesuara për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me migrimin.
Përveç procesit të integrimit evropian të shteteve të rajonit, vendet e Beneluksit gjithmonë kanë qenë të interesuara që këto shtete të bashkëpunojnë në ndaljen e migrimit masiv drejt BE-së, riatdhesimin e qytetarëve të tyre që ilegalisht qëndrojnë në BE dhe bashkëpunimin me këto vende në luftimin e trafikimit.
Edhe pse në këtë vizitë nuk do të jetë kryeministri belg, shefat e qeverive të Holandës dhe Luksemburgut do të paraqesin edhe qëndrimet e Belgjikës. Këto tri shtete tradicionalisht bashkëveprojnë në shumë çështje të politikës së jashtme dhe kanë qëndrim të përbashkët edhe brenda BE-së sa herë që kjo përshtatet e interesat e tyre kombëtare.
Vizita e liderëve të Holandës dhe Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Tensionet nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.
Edhe Lajçak vjen në Kosovë
I dërguari special i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak,sot do të vijë sërish në Prishtinë, në përpjekje për shtensionim të situatës në veri të vendit. Bëhet e ditur se Lajçak do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Pas Prishtinës, emisari i BE-së pritet që në takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq të dërgojë porositë e Brukselit edhe në Beograd.
Kjo është vizita e dytë e Lajçakut brenda një muaji, pasi që ai në fillim të qershorit bëri një vizitë bashkë me emisarin amerikan për Ballkan Gabriel Escobar.
Lajçak pritet që sërish t’i ripërsëritë kërkesat e Bruksleit sa i përket hapave drejt de-përshkallëzimit e të cilat nënkuptojnë largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb; largimin e kryetarëve të zgjedhur të komunave nga këto objekte dhe shpalljen e zgjedhjeve në veri. Në këtë rrash pritet deklarimi publik i serbëve se do të marrin pjesë në votime, dhe kjo është kërkesë drejtuar Beogradit që ta sigurojë këtë gjë.
Vizita e Miroslav Lajçakut vjen në momentin kur Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të përgatitura e të praktikuara qysh në javën e dytë të qershorit, por rreth të cilave Prishtina zyrtare u njoftua formalisht më 28 qershor.