Gara për gjyqtar të Kushtetueses, cili nga kandidatët ka më shumë pikë

Gara për gjyqtar të Kushtetueses, cili nga kandidatët ka më shumë pikë

Sot pritet të votohet në Kuvend për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese e ku në garë janë Vigan Qorrolli, Hilmi Jashari e Haxhi Xhemajli.


Nga kjo garë është tërhequr Visar Morina nëpërmjet një shkrese të dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

E Qorrolli, që është profesor shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, ka marrë më së shumti pikë nga të gjithë 11 kandidatët që iu nënshtruan testimit dhe intervistës së Komisionit.

Qorrolli mori pikë maksimale nga shumica e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm. Atë me pikë maksimale e votuan përfaqësuesit e Vetëvendosjes, AAK-së dhe minoritetet.

8 pikë ka marrë nga Driton Selmanaj i LDK e me 7 pikë është notuar nga Abelard Tahiri i PDK-së.

Ndërkaq i dyti në listë është Visar Morina, profesor në UP e ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari është renditur i treti në listë.

Haxhi Xhemajli është personi i 4 më i votuar në listë, emri i të cilit u propozua për t’u votuar në seancë plenare nga deputetët e Kuvendit.

Sipas ligjit, Komisioni posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, bashkangjitur me listën e ngushtë të të përzgjedhurve, tani duhet t’ia dërgojë Kuvendit listën e të gjithë kandidatëve të cilët i plotësuan kushtet për t’u zgjedhur gjykatës.

Në fund, në organin më të lartë ligjvënës, me shumicë votash vendoset se cili nga ta do të përzgjidhet për ta marrë këtë detyrë. /Reporteri/

Related Articles