Policia ka arrestuar një person në Fushë Kosovë nën dyshimin se ka bashkëjetuar me një vajzë të mitur, të moshës 15-vjeçare.
Vajza ishte dërguar në spital, për shkak se kishte probleme shëndetësore. Me të marrë informacionet, Policia nisi hetimet dhe si rezultat u kuptua se viktima që disa muaj ka jetuar me të dyshuarin dhe nuk dihet nëse kanë pasur marrëdhënie intime.
Sipas informacioneve të para, posa është identifikuar personi i dyshuar, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin për të cilin dyshohet.
Bazuar në dëshminë e të dyshuarit, i moshës 23-vjeçare, ai dhe e mitura që disa muaj janë martuar dhe jetojnë bashkë, por që sipas tij nuk ka qenë në dijeni se vajza i ka pasur 15 vjeç.
Ndërsa e mitura ka dhënë një deklaratë të çuditshme para hetuesve policorë, duke thënë se nuk e ka ditur as vetë që është 15-vjeçare.
Sinjali mëson se e mitura ka deklaruar po ashtu se prindërit e saj kanë tentuar që ta ndajnë nga personi me të cilin bashkëjetonte, por ajo i ka kërcënuar e paralajmëruar se nëse e pengojnë, do të bënte vetëvrasje.
Të gjitha detajet e rastit, dy palët i kanë rrëfyer në Polici dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “Bashkëjetesë me personin nën moshën 16-vjeçare”.