As sanksionet e rënda nuk e stepin Kurtin, BE e njëanshme me Kosovën

As sanksionet e rënda nuk e stepin Kurtin, BE e njëanshme me Kosovën

Bashkimi Evropian e njoftoi edhe zyrtarisht qeverinë e Kosovës për masat ndëshkuese ndaj saj, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Analisti politik Gazmir Raci në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka komentuar zhvillimit e fundit në vend.

Raci: Jemi në një situatë kur vetëm Kosova po përballet me sanksionet nga Perëndimi

Sipas tij është e papranueshme që njëra palë, në këtë rast Kosova të ndëshkohet nga BE-ja.

“Serbia ka shkelur në mënyrë flagrante të gjitha obligimet që ka marrë. Është e papranueshme, që njëra palë, Kosova që është partnerja më besnike e BE të ndëshkohet. Serbia për interesat e saj flirton me Rusinë dhe Kinën dhe luan me Perëndimin”, tha Raci për “Enigmën”.

BE-ja sot përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe Republikën Sërpska nga grantet

Kosova, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Federata boshnjako-kroate.

Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së.

Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte thënë se kishte aplikuar edhe për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk kishte specifikuar më shumë në lidhje me to.

Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë prej 1.8 miliard eurosh.

BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për MSA-në, ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë, programimin e fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

IPA 2024 pezullon fondet e programit të saj për Kosovën

Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të programit IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, – tha zëdhënësi i BE-së.

BE-së tha se për këto masa qeveria e Kosovës është njoftuar më 28 qershor.

“Ne nuk mund të përballojmë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë. Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për shpërshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët”, tha zëdhënësi i BE-së.

Tutje ai ka theksuar se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ishte shumë e qartë për tri pikat e përmendura edhe nga Samiti i BE-së që duhet ti përmbahen atyre, pra shtensionimi i situatës në veri, zgjedhjet e reja në ato komuna dhe rikthimi në dialog.

Sipas Kurtit masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta

“Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”, tha kryeministri i vendit.

Tutje ai ka shtuar se “këto nuk janë sanksione, është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist”.

“Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku ka shkaktuar katër luftëra”, deklaroi Kurti.

Opozita me kritika për Kurtin

Partitë politike opozitare e kritikuan ashpër kryeministrin Kurti për qasjen e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se “sanksionet ndaj Kosovës janë avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta. Teksa ne humbasim nga programi 7.5-miliardësh për zhvillim digjital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj.”

Tutje ai ka shtuar se “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bënë dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”.

PDK kërkon zgjedhje të reja: S’votojmë më asgjë në Kuvend

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nga 3 korriku i këtij viti nuk do të votojnë as në seanca plenare e as në komisione.

“Ne nga sot kërkojmë që në një kohë sa më të shpejt të diskutohet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit të Kosovës, sepse kjo shumicë parlamentare dhe zgjedhjet e kaluara nuk e kanë prodhuar këto institucione për të shkatërruar çdo raport të Kosovës me aleatët dhe partnerët perëndimorë. E dyta, ne nga sot nuk do të votojmë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës”, tha Krasniqi.

I pari i PDK-së tutje ka theksuar se nuk do të votojnë “as në komision e as në seanca plenare, as ligje e as vendime, as rezoluta, as marrëveshje ndërkombëtare. Asgjë tjetër sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne nuk mund ta simulojmë normalitetin”.

Haradinaj kërkon shkarkimin e Albin Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se “masat e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e ShBA-së, e dëshmojnë se sa e rrezikshme është gjendja”. Prandaj ai thotë se “mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”.

“I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit, shkroi Haradinaj, duke theksuar se “Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, dhe veprimet e saj  dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë. Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”, shkroi Haradinaj.

Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë po protestojnë që nga ajo kohë duke mos njohur kryetarët shqiptarë në komunat  e tyre.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po kërkojnë vazhdimisht shtensionim të situatës në veri duke kërkuar veprime nga qeveria e Kosovës, që janë: zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës dhe rikthimi i palëve në tryezën e dialogut. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles