Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se përmes këtij projektligji e kanë hequr kushtin që të ketë 15 vjet stazh pune për të përfituar pension.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu si kusht 15 vjet stazh punë, mirëpo nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna të atyre që kanë qenë duke punuar nga viti 1989 dhe më pastaj me hyrjen në fuqi të masave të dhunshme. Si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë punëtor të cilët kanë kontribuar me 14 vite e 11 muaj e që me largim nga puna nuk kanë mundur që ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh. Me plotësim-ndryshimin e këtij ligji ne do ta zhbëjmë atë diskriminim sepse do t’u mundësohet që për periudhën që nga koha kur janë larguar nga puna e deri në janar të vitit 1999, këtu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, e pastaj lartësia e pensionit bazuar në vitet që kanë kontribuar në Fondin Pensional”, ka thënë Murati.
Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.
“Më duhet të them disa statistika, nga ky ndryshim plotësim teorikisht përfitojnë 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin, megjithatë duhet të marrim parasysh se disa mund të kenë ndërruar jetë e disa ende mund të mos e kenë arritur moshën e pensionimit. Në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë persona dhe do të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës”, tha gjithashtu Murati.
Murati gjithashtu thotë se shpreson që Kuvendi do t’i marrë masat e nevojshme për procedimin e këtij ligji.
“Shpresojmë që edhe Kuvendi t’i marrë masat e nevojshme.”, tha Murati më tutje.