Jorn Rohde, ambasadori gjerman, tha se ndërkombëtarët nuk mund të garantojnë gjëra, duke iu referuar mundësisë së pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, nëse ato mbahen në katër komunat veriore të Kosovës.
“Më lejoni ta them kështu, nuk jemi kompani sigurimesh që mund të garantojnë gjëra, por ajo që po përpiqemi dhe për të cilën po punojmë është që të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në mënyrë që të arrijnë aty, na duhet shtensionim dhe natyrisht nuk po i arsyetoj këto, le të themi… këta hapa nga Beogradi që ishin sigurisht kundër frymës, bojkoti nuk është kurrë përgjigjja, por fillimisht na duhet shtensionim dhe ajo që thamë është se na duhen burrështetas, jo politika të rrezikshme, veprat simbolike nuk ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje dhe të gjitha kërkesat e BE-së janë që nga 3 qershori dhe deri tani nuk janë realizuar”.
“Në fotografinë e publikuar nga kryeministri dje, nga takimi i tij (Lajçakut, shën. red.) me Albin Kurtin në Twitter, nuk pashë dy pjesëmarrës të lumtur atje, pra na duhet progres më i shpejtë, sepse tensionimi mund të ndodhë shumë shpejt dhe nuk na duhet ndonjë lëndim tjetër i ndonjë ushtari të KFOR-it, nuk na duhen gazetarë të tjerë të lënduar, na duhet një zgjidhje dhe përgjegjësi dhe ky është mesazhi ynë kryesor”, tha Rohde në Rubikon të Klan Kosovës.
Ndërsa ambasadori francez tha se masat negative të Bashkimit Evropian po shkaktohet nga një njeri i vetëm në Leposaviq.
Ai tha se “rezistenca” e kryetarit të Leposaviqit Lulzim Hetemi, nuk ndihmon në përmirësimin e gjërave.
“Pra mendimi ynë dhe kërkesa jonë është që ashtu si kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të gjejë një lokacion tjetër, sepse qëndrimi i tij në ndërtesë është një akt simbolik që po i komplikon gjërat. Tani, zgjidhja e vërtetë janë zgjedhjet e reja dhe kjo është diçka pozitive, me të cilën pak a shumë të gjithë pajtohen se kjo është rruga e duhur, pra mendoj se të gjithë ata që kanë ndikim për ta bërë këtë proces të zgjedhjeve të reja më të shpejtë, duhet ta përdorin atë ndikim, na duhen këto zgjedhje sa më shpejt që është e mundur”, tha Guerot.
Derisa ambasadori gjerman tha se nuk ka legjitimitet me pjesëmarrës prej 2 për qind në zgjedhje.
“Të gjithë i dëgjojmë burrështetasit se i kuptojnë pikëpamjet dhe natyrisht, siç e keni parë nga deklaratat e Bashkimit Evropian, po ashtu ne presim se kur të shtensionojmë se gjithashtu serbët e Kosovës marrin pjesë në këto zgjedhje”, tha Rode.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, ka folur edhe për kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës si mundësi për shtensionim të situatës në veri.
Ai tha se ka situate ku kushtet ndihmojnë dhe ka situate kur kushtet, sipas tij, nuk ndihmojnë, teksa shtoi se aktualisht “jemi në këtë të dytën”.
“Na duhet të ecim përpara me shtensionim, na duhet të ecim përpara në procesin, i cili çon drejt zgjedhjeve dhe tani do të ketë diskutime, si dje me zotërinë Lajçak, ku mund të diskutojmë për mënyrën se si kjo mund të bëhet, ku të gjitha palët ndihen rehat dhe natyrisht disa nga kushtet e prezantuara nga kryeministri mund të diskutohen”, tha Guerot.
Tutje, ai tha se është në interesin e të gjithëve që të ecet përpara pa kushte kur bëhet fjalë për shtensionim të situatës dhe kur bëhet fjalë për procesin që çon drejt zgjedhjeve.
Për kushtet e Kurtit, i të njëjtit mendim ishte edhe ambasadori gjerman, i cili tha se BE-ja i ka prezantuar tri kërkesa me 3 qershor.
“Përgjigjja e njëjtë edhe nga ana jonë, ne i kemi prezantuar kërkesat tona më 3 qershor dhe këto nuk janë kërkesa të Gjermanisë, apo Francës, por të 27 shteteve anëtare të BE-së dhe e dini gjithashtu ka pasur dakordim edhe në konkluzionet e Këshillit të Evropës gjatë javës së kaluar dhe partnerët tjerë gjithashtu e mbështesin këtë dhe ky duhet të jetë një hap, dhe pastaj mund të ecim përpara dhe është keq që ka kaluar një muaj dhe duke kemi ecur përpara”, tha ai.