Më 12 nëntor të vitit 2021, Lorenc Trashi zhvilloi ndeshjen e fundit me fanellën e Shqipërisë. Ishte titullar ndaj Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2022. Luajti vetëm pjesën e parë.
Në njërën prej 15 ndeshjeve me fanellën kuqezi, mbrojtësi i krahut ka luajtur edhe kundër yjeve të Francës.
Janë këto dy ndeshjet më të mëdha që Trashi i ka luajtur për Shqipërinë.
Tani mbrojtësi i krahut të majtë po jep kontribut në Kosovë. Ardhja e Trashit në Kosovë ka rritur nivelin. Trashi është te Ballkani prej janarit. U transferua nga Qadsia e Kuvajtit.
Ai pranon se nuk kishte njohuri për futbollin e Kosovës. Por nivelin e kuptoi nëpërmjet Ballkanit, përkatësisht pas paraqitjeve në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës edicionin e kaluar.
“Për kampionatin e Kosovës nuk është se kam qenë shumë i informuar. E kam shikuar, por jo të kem qenë shumë i informuar. Nga momenti që Ballkani ka bërë historinë në Ligën e Konferencës më ka tërhequr loja e Ballkanit dhe djemtë këtu. Kam gjetur një grup të mirë. Kjo më ka shtyrë shumë të vij te Ballkani në Kosovë. Ka qenë edhe trajneri Ilir Daja me të cilin nuk kam punuar, por kam pasur dëshirë të punoj. Më dha rastin dhe shpresoj t’ia shpërblej besimin”, ka thënë Trashi për Kohën.
Futbollisti 31-vjeçar para se të shkonte në Kuvajt, luajti për Partizanin, Lushnjën dhe Gramshin. Është nga Gramshi.
Kosova është vetëm shteti i tretë në karrierë për Trashin. Dhe po e shijon maksimalisht eksperiencën në futbollin kosovar.
“Për Ballkanin është viti i dytë që luan me dinjitet në garat evropiane. Unë kam edhe një vit kontratë me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Nëse gjërat shkojnë mirë, siç janë objektivat, do të shohim çfarë të ndodhë në të ardhmen”, është shprehur Trashi.
Trashi pati paraqitje të mirë kundër Ludogoretsit të martën e kaluar. Ballkani fitoi 2:0 në Prishtinë, ndërsa ndeshjen e kthimit e ka të mërkurën në Razgrad të Bullgarisë. I takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Trashi shpreson të paraqitet me Ballkanin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve ose Ligës së Konferencës, ku vjet skuadra suharekase ishte paraqitur me shumë sukses.
“Ky ekip dihet që është ndërtuar për të dalë kampion. Objektiv i vetëm ishte të dalim kampion dhe e dyta të bëjmë paraqitje të mirë në Evropë, të përsëritim suksesin e vitit të kaluar. Ky është objektivi që ka Ballkani”, ka thënë Trashi.
Krahas Trashit te Ballkani me sukses paraqiten edhe futbollistë të tjerë nga Shqipëria, ndërsa ekipin kampion e ka ndërtuar trajneri Ilir Daja. Daja është nga Tirana.