Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka përshkruar me disa postime në Twitter vizitën e tij të sotme në Kosovë, raporton Gazeta Enigma.
Dendias ka falënderuar për mikpritjen në Kosovë, derisa ka theksuar se vizita e tij nënvizon përkushtimin për t’i rritur edhe më tutje lidhjet me Kosovën
“Ne besojmë që i tërë Ballkani Perëndimor duhet të jetë i lidhur me gazsjellësin Trans-Adriatrik, përmes ndërlidhësve të gazit. Ne po ashtu mund të sigurojmë përkrahje dhe udhëzime në reduktimin e varshmërisë në linjit dhe ta zgjerojmë përdorimin e burimeve të energjisë së ripërtërishme”.
“Greqia në mënyrë konsistente tash, për dy dekada, ka avokuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Qeveria e kryeministrit Mitsotakis mbetet e ankoruar fort për këtë përkushtim”.
Dendias ka thënë që rajoni nuk duhet t’i lejojë ndikimet e jashtme që ta prishin stabilitetin, teksa tha se do ta përkrahin plotësisht vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë.
“Ne nuk duhet t’i lejojmë fuqitë e tjera që ta minojnë stabilitetin e brishtë të rajonit tonë, duke tentuar që të krijojnë sfera ndikimesh apo të provojnë që ta ngulitin veten duke iu referuar afiniteteve kulturore, historike apo fetare”.
Ai tutje ka vlerësuar për punën e ndërmarrë nga EULES Kosova, në të cilën aktualisht po shërbejnë disa zyrtarë grekë.
“Ne e përkrahim plotësisht vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Shfrytëzoj këtë rast të pranisë sime këtu që t’i nxis edhe njëherë të gjitha palët që t’i intensifikojnë përshtypjet e tyre në mënyrë që ta arrijnë një zgjidhje ligjërisht të obligueshme dhe zbatueshme”.
“Një zgjidhje e tillë do të bëjë mrekulli që ta stabilizojë të gjithë rajonin, si dhe ta sjellë rajonin afër me familjen evropiane. Jam në kontakt shumë të rregullt me mikun tim dhe ish-kolegun, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak”.