Shumë emocione kishte në familjen Pepshi nga Juniku më 23 prill të këtij viti. Në lagjen Pepshi në Junik u përurua shtatorja e dëshmorit të kombit, Gëzim Pepshi, që kishte rënë heroikisht në pranverën e vitit 1998.
Përurimi i shtatores së dëshmorit ishte moment i veçantë edhe për futbollistin Gëzim Pepsi (Pepshi).
Gëzimi është i lindur pak javë pasi axha i tij ra heroikisht. Është i lindur më 12 korrik të vitit 1998. Dhe mban emrin e axhës dëshmor.
Mbiemri i nderuar Pepshi, për shkak të rrethanave u shndërrua në Pepsi. Futbollisti 25-vjeçar është krenar që i takon një familjeje që ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin e vendit. Dhe po ashtu që e mban emrin e axhës dëshmor.
“Si familje jemi nga Juniku. Jemi familje e njohur që gjithnjë ka dhënë për çlirimin e Kosovës. Në luftën e fundit hero kombëtar ka rënë axha im. Unë e trashëgoj emrin e tij. Prindërit e mi janë në Zvicër që nga viti 1991”, ka treguar Gëzim Pepsi për Kohen.
Ai është i lindur në Basel të Zvicrës.
“Pepshi është mbiemri i familjes sonë. Por rrethanat e njohura kanë bërë që të na heqin shkronjën ‘h’. Kështu nga Pepshi mbiemri na është shkruar Pepsi. Vazhdon të na shkruhet kështu”, ka thënë mesfushori defanziv.
Ai së fundi firmosi me skuadrën elitare të Bullgarisë, Pirin Blagoevgrad. I ka luajtur dy ndeshje në kampionatin bullgar.
“Kam pasur dëshirë të luaj jashtë Zvicrës dhe në Pirin më erdhi një mundësi e mirë. Është klub me traditë dhe mund të them se është hap para, pasi tani luaj në elitë. Tashmë e kam përvojën dhe jam i bindur se do të luaj rol të rëndësishëm në skuadër. Qëllimi është që të paraqitem me sukses te Pirini. Më pas të transferohem te ndonjë klub i madh në Bullgari dhe më pas në ndonjë ligë më të madhe”, ka thënë Pepsi.
Ai është rritur si lojtar te Baseli. Ka kaluar te klubi i njohur të gjitha grupmoshat, deri në ekipin U21. Nuk ia doli të depërtojë në ekipin e të rriturve të Baselit. Ka luajtur më pas tek Aarau, Winterthuri dhe Vaduzi. Vaduzi është nga Lihtenshtajni, por luan në kategorinë e dytë të Zvicrës.
Pepsi thuajse gjithë karrierën seniore e ka kaluar në kategorinë e dytë të Zvicrës. Në 94 paraqitje ka shënuar gjashtë gola dhe i ka gjashtë asistime. Në Superligën e Zvicrës e luajti një ndeshje në korrikun e vitit të kaluar. U paraqit për Winterthurin kundër Baselit, skuadrës së fëmijërisë.
“Kur është dashur të dal në ekipin e parë, Baseli luante në Ligën e Kampionëve. Në pozitën time ishin pesë lojtarë me shumë përvojë. Për këtë arsye edhe nuk e fitova ndonjë rast. Qëllimi im nuk është që të kthehem në ndonjë skuadër zvicerane”, ka thënë Gëzim Pepsi.
Ai ka të kaluar interesante edhe në nivel përfaqësuesesh. Fillimisht në vitin 2014 i luajti tri ndeshje për Shqipërinë U17. I shënoi dy gola. Më pas i luajti tetë ndeshje me fanellën e Zvicrës. Kishte katër paraqitje me U18 dhe katër të tjera me U19. Kjo dëshmon që vlerësohej me potencial të madh në moshë më të re.
Në vitet 2019 e 2020, Pepsi i kishte katër ndeshje me Kosovën U21.
“Këto lëvizje në përfaqësuese janë për shkak se në atë kohë ato përfaqësuese ishin të interesuara për mua. Por gjithnjë kam dashur ta lë derën hapur që të luaj për Kosovën. Dhe për këtë arsye nuk kam luajtur ndeshje zyrtare me Zvicrën, pasi kështu nuk do të mund të luaja më për Kosovën”.
Pepsi synim tani e ka vetëm Kosovën A. Ndeshjet e fundit me përfaqësuese i ka me Kosovën U21.
Shumë shqiptarë të rritur te Baseli kanë arritur në liga e klube të mëdha evropiane. Rrugëtimi i Pepsit është më ndryshe.
“Natyrisht që karrierën e kam planifikuar ndryshe. Por në futboll ndikojnë shumë gjëra. Për shembull e kam pasur një lëndim serioz në kohën kur kam pasur oferta nga dy klube të mira. Kjo e ka ndikimin e vet. Natyrisht, disa vendime që i kam marrë më herët do t’i ndryshoja po të ishte e mundur. Ka gjëra që do t’i bëja ndryshe, por shpresoj se vendimi i fundit dhe vendimet e ardhshme do të jenë të duhura”, ka thënë Pepsi.