Deputeti gjerman, Knut Abraham, nga CDU/CSU, ka mirëpritur letrën e politikanëve perëndimorë drejtuar ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së bashkuar për qasje të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka shkruar se letra ka mbështetjen e tij të hapur, teksa e ka cilësuar nismë shumë të mirë dhe në kohë.
“Kjo letër e hapur ka mbështetjen time të plotë. Një nismë shumë e mirë dhe në kohë!”, ka shkruar ai.
Për këtë letër njoftoi deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila po ashtu bëri publike përmbajtjen e saj.
“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohet që të mos miratojmë një politikë me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet ndër të tjera në letër.
Sipas deputetes në fjalë, është e rrallë që kaq shumë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme të bëhen bashkë njëzëri kundrejt një shqetësimi që kanë.
“Ne kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku sigurohemi që do të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës. Është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen për të ngritur shqetësimet dhe për të shprehur një angazhim të përbashkët për de-përshkallëzimin”, ka thënë ajo.