Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka thënë se ka një mungesë të ekuilibrit të BE-së sa i përket Kosovës.
Kearns ka thënë se kjo është dëshmuar edhe me deklaratën që dha zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media.
Stano në konferencë për media para pak ditëve tha se BE-ja mori masa ndaj Kosovës pasi “Kosova nuk u soll në mënyrë evropiane”.
“Zëdhënësi i BE-së tregon mungesën e plotë të ekuilibrit në marrëdhëniet e BE-së me Kosovën. Të thuash që Kosova ka ‘paaftësi për t’u sjellë në mënyrë evropiane’ është një keqinterpretim i rëndë, por më pas të mos përmendësh veprimet e Serbisë në listën e dhënë më poshtë?” – ka shkruar Kearns, ndërsa ka etiketuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Jose Borrell.
Në listën që e ka postuar ajo ka përmendur një sërë shkeljesh që ka bërë Serbia.
Ka përmendur vizitën zyrtare që një delegacion i Qeverisë së Serbisë e ka bërë në Tehran. blerjen e 20 mijë dronëve kamikazë nga Tehrani, nënshkrimin e Marrëveshjes për Siguri me Rusinë, shtatë muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ndërhyrjen e huaj që ka bërë në zgjedhjet në Kosovë.
Po ashtu ka përmendur kidnapimin e tre policëve kosovarë, e gjithashtu edhe vizitën e një ministri serb në Moskë.
Përmendi edhe refuzimin e Serbisë për ta sanksionuar, Rusinë, Iranin e po ashtu ministrin e Arsimit të Talebanit, duke u bërë shteti i vetëm në Ballkan që ka refuzuar këtë.
Gjithashtu përmendi edhe sanksionimin e ministrit të Inteligjencës, Aleksandar Vulin, nga Qeveria e SHBA-së.