Trajneri Jim Curtin dhe lojtarët e Philadelphia Union mezi presin ndeshjen e tyre kundër Inter Miamit në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës.
Strategu nuk donte të humbiste mundësinë për të vlerësuar se çfarë do të thotë ndeshja për skuadrën e tij, ndërsa ata përgatiten të përballen me Lionel Messin.
“Ne mezi presim ta shohim lojtarin më të madh në historinë e sportit në objektin tonë”, ka thënë fillimisht Curtin.
“Unë mendoj se do të jetë padyshim Subaru Park më i zhurmshëm që ka qenë ndonjëherë. Është një ndeshje e shkëlqyer. Ne po flasim për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave që vjen këtu në gjysmëfinale”.
“Pra, është një lojë e madhe. E di që tifozët tanë do të jenë të gjithnjë këtu”, ka shtuar më tej ai.
Ndeshja do të zhvillohet të martën, më 15 gusht dhe Curtin pret një stadium të mbushur plot për të parë Messin.
“Do të jetë një nder të luaj kundër tij, por sapo të bie bilbil, e di që djemtë tanë do të japin më të mirën e tyre”, vazhdoi Curtin.
“Nuk ka rëndësi kush është. Nëse është Messi, nëse është Sergio Busquets apo Jordi Alba, ne duhet të luajmë me stilin tonë dhe të besojmë në vete. Duhet të dimë të luajmë me një fushë plot zhurmë, me tifozët që na mbështesin që herët”.
“Ne nuk do të trembemi. Ne do të jemi të guximshëm. E dimë se do të jetë e vështirë, por mezi presim sfidën”, ka potencuar më tej trajneri i Philadelphia Union.