Në vazhdën e takimeve zyrtare në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Gazeta Enigma.
Konjufca dhe presidenti Meta gjatë këtij takimi diskutuan për marrëdhëniet që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërtuar ndër vite në shumë sfera të bashkëpunimit, ndërsa u dakorduan që midis dy vendeve ende ka hapësirë për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.
Konjufca ritheksoi qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal por vetëm mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit.
Ai po ashtu falënderoi presidentin e Shqipërisë për mbështetjen konsistente dhe përkrahjen e fuqishme që shteti shqiptar i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.
“Roli dhe kontributi i Shqipërisë ka qenë vendimtar në të gjitha periudhat dhe rrugëtimet tona si komb, sikurse edhe gjatë luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Konjufca.
Nga ana tjetër, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe i inkurajon të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.
Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.
Krejt në fund, të dy u pajtuan se sfidat aktuale dhe ato që i presin në të ardhmen të dyja vendet, shtrojnë nevojën e bashkërendimit dhe konsolidimit më të madh të politikave zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës.