Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi të njëjtit kishin publikuar video në rrjetin social ‘TikTok’, për shitjen e parave të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personat e dyshuar me inicialet F.V., S.A., A.V., B.R., dhe E.V., janë marrë me veprimtari kriminale ku sipas Policisë, kanë mashtruar dhjetëra persona kinse do të ju shesin para të falsifikuara.
Në anën tjetër, Policia ka thënë se personat që kanë tentuar të blejnë para të falsifikuara, kanë kryer vepër penale.
Vlera e përfitimit, sipas Policisë, që këta persona kanë përfituar me anë të mashtrimit është rreth 20 mijë euro.
Po ashtu, Policia me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka bastisur shtëpitë e të pesë të dyshuarve, në të cilat ka gjetur dhe sekuestruar 1 granatë dore; 1 armë automatike; 1 karikator i armës; 52 fishekë dhe 1 telefon mobil.
Të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve të tyre mbrojtës dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit të lëndës, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.