Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për pezullimin e zbatimit të nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, për faljen e 100 eurove, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kushtetuesja zbatimin e këtij neni e ka shtyrë deri më 30 nëntor të këtij viti.
Pas këtij vendimi Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) të cilët kanë mirëpritur vendimin e Kushtetueses për pezullimin e faljes së 100 eurove.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimi e zbatimit të nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, për faljen e 100 eurove.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Gazetën “Enigma” se vendimi është në dobi të komunave, pasi sipas tij, zbatimi i atij ligji do të shkurtonte buxhetin e komunave.
“Kemi besim të plotë në ndarjen e drejtësisë nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi Ibrahimi.
“E mirëpresim një vendim të tillë, pasi është në dobi të komunave të Kosovës, ne po shpresojmë që edhe vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese do të jetë ashtu siç komunat mendojnë”, tha Ibrahimi për “Enigmën”.
Sipas tij “me zbatimin e një ligji të tillë, buxheti i komunave do të shkurtohej mbi rreth 30 milionë euro, dhe kjo shkon në dëm të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse do të kemi shkurtime të 30 milionë eurove në investime kapitale”.
Tutje ai ka shtuar se kanë qenë të bindur se Gjykata Kushtetuese do të vendoste në favor të tyre.
“Ne e mirëpresim, vendimin dhe kemi qenë të bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në bazë të kërkesës e cila është dërguar nga Komuna e Prizrenit, por me autorizim të bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, tha mes tjerash ai.
Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjilanit kishte kërkuar t’i liroj të gjithë tatim paguesit nga pagesa e pronës së paluajtshme në vlerën prej 100 euro për vitin 2023, por Kushtetuesja pezulloi nenin që parasheh faljen e 100 eurove.
Gazeta “Enigma” në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar me Drejtorinë e Financave në Komunën e Prishtinës dhe me disa zyrtarë komunal nga Komuna e Gjilanit për të mësuar se cili do të jetë vendimi i kësaj komune pas vendimit të Kushtetueses.
Valbona Makolli drejtoreshë e Drejtorisë së Financave në Komunën e Prishtinës në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se pas vendimit të Kushtetueses ky vendim është pezulluar derisa kjo e fundit të del me një vendim tjetër.
“Komuna e Prishtinës ka pezulluar Propozim Vendimin sipas Vendimit të organit më të lartë në vend Gjykatës Kushtetuese deri në një vendim tjetër nga kjo gjykatë”, tha Makollli.
Ndërsa nga Komuna e Gjilanit nuk kanë kthyer përgjigje.
Avokati Faton Fetahu, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ai ka shkruar se “mashtrimi nuk kalon”.
“Ashtu edhe siç pritej, [sot] Gjykata Kushtetuese kumtoi vendimin e saj për miratimin e kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitës ligjore lidhur me faljen e tatimit në pronë, e cila brenda vetes fshihte mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimin ua la në barrë komunave. Prandaj, jam i gëzuar që si Përfaqësues i Autorizuar i Komunës së Prizrenit, hartova dhe ndërtova rastin pranë kësaj gjykate si dhe kërkesën për masë të përkohshme që sot u miratua”, ka shkruar Fetahu.
Edhe ministri, Hekuran Murati ka reaguar pasi Kushtetuesja pezulloi nenin që parasheh faljen e 100 eurove. Ai tha se “prapa vendimit qëndron “garda e vjetër”.
“Po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata ‘do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese’”, thuhet në reagimin e Muratit.
Ministri i Financave më parë kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Tatimi në Pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës.
Kujtojmë se nga Tatimi në Pronë, Buxheti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro./GAZETA ENIGMA/