Me 150 euro është gjobitur një shofer në rrugën Gjilan-Prishtinë, pasi ka bërë tejkalim në vijë të plotë.
Policia ka njoftuar të premten se me këtë veprim ai ka rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.
Të njëjtit bëhet e ditur se i janë shqiptuar edhe dy pikë negative dhe masa e përkohshme e ndalimit të vozitjes në afat prej tre muaj.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i komunikacionit rrugor falë bashkëpunimit me qytetarë, kanë identifikuar një kundërvajtës i cili duke drejtuar automjetin e tij në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë në bazë të video incizimi të pranuar në E-mail adresën zyrtare, shihet duke bërë tejkalim në vijë të plotë, me të cilin veprim rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion dhe bie ndeshë me rregullat e komunikacionit rrugor”.
“Ndaj këtij kundërvajtësi është shqiptuar gjoba në vlerë prej njëqind e pesëdhjetë (150) euro, dy (2) pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes në afat prej tre (3) muaj”, thuhet në komunikatën për media.
Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, ka inkurajuar mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet të njoftojnë stacionin më të afërm të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, E-mail: [email protected] dhe numrat kundestarë: 192; 03850807001.
“Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet tutje.