Amir Rrahmani ishte në krah të përzgjedhësit Primoz Gliha, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Kosovë-Zvicër.
Kapiteni i “Dardanëve’ vlerësoi maksimalisht Zvicrën, por edhe shqiptarët që veshin fanellën helvete.
Si vjen Kosova para ndeshjes ndaj Zvicrës? – Kemi një kundërshtar shumë të fortë, më të fortin në grup dhe këtë ndeshje e mirëprisnim, ndonëse jo në këtë moment, pasi kemi nevojë për shumë pikë. Megjithatë jemi të përgatitur për të bërë më të mirën në fushë.
Shumë futbollistë kosovarë kanë zgjedhur të luajnë me Zvicrën apo Shqipërinë. A keni një mesazh për ta? – Ka shumë lojtarë që luajnë me përfaqësuese të tjera. Ju përmendët dy, por ka edhe shumë të tjera. Me ata që unë kam folur, u kam thënë se është shumë e rëndësishme të luash për vendin tënd, për atë vend ku janë lindur dhe rritur ata, apo prindërit e tyre.
Sa të vështirë e shihni përballjen me Zvicrën? – Zvicra është një kombëtare shumë e fortë dhe shkon gjithmonë në Evropian apo Botëror. Janë shumë të fortë dhe bëhen edhe më të fortë me futbollistët shqiptarë që kanë në grup. Është diçka normale, pasi futbollistët kosovarë e kanë përfaqësuar edhe më herët Zvicrën, ashtu si shumë të tjerë që jetojnë atje.
A keni folur me Uran Bislimin, që ishte te Kosova, pro zgjodhi të përfaqësojë Zvicrën? – Jo, për këtë çështje nuk kam folur dhe nuk do të komentoj asgjë për këtë.
A keni folur gjatë këtyre ditëve me Xhakën apo Shaqirin? Si janë raportet tuaja me ta? – Kam marrëdhënie më të mira me Granitin, pasi dëgjohemi më shpesh, por nuk kemi folur shumë për këtë ndeshje. Të dy janë shqiptarë dhe krenohemi me ta. Jemi krenuar kur kanë shënuar ndaj Serbisë dhe krenohemi për të gjithë sukseset e tyre.