Mëngjesi i së dielës të 24 shtatorit u kthye në tragjedi për Kosovën kur gjatë detyrës në Banjska të Leposaviqit u sulmua Policia e Kosovës, ku si pasoj e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën e lënduan edhe dy policë të tjerë, nga një grup terroristësh serb të armatosur rënd, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse punë me rrezikshmëri të lartë, nga Sindikata e Policisë së Kosovës për Gazetën Enigma, ritheksojnë faktin se edhe pas shumë kërkesave, shtesat për rrezikshmëri e sigurim shëndetësor ende nuk janë marrë parasysh nga institucionet.
Që nga miratimi i Ligjit për Paga në muajin shkurt – Policia e Kosovës e harruar nga shteti
Me Ligjin për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023, policët duhet t’i marrin pagat me shtesat e rrezikshmërisë, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani.
Imer Zeqiri, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka thënë se kërkesë e vazhdueshme e sindikatës ka qenë që gjithnjë të bëhet më shumë për policinë.
Zeqiri potencon për Gazetën Enigma, se muajt e fundit sindikata ka marrë përgjigje vetëm përmes mediave, dhe se institucionet parashihen që të dalin me një vendim për shtesat e rrezikshmërisë, pa kaluar muaji shtator.
“Sa i përket punës së shtesave për rrezikshmëri, përgjigjet dy muajt e fundit i kemi pasur nga Qeveria përmes mediave, që është duke u punuar një komision i Qeverisë, dhe këta janë të obliguar që pa kaluar muaji shtator, të dalin me një vendim, për shkak se i obligon një vendim që kryeministri i vendit e ka lëshu më 16 mars, që të rishikohen dhe të vendoset edhe për shtesat e rrezikshmërisë edhe për disa klasifikime në koeficient që nuk i kanë bërë”, ka thënë Zeqiri.
Ai tutje ka shtuar se do të presin edhe këto ditë të muajit shtator që të marrin ndonjë vendim apo konfirmim nga ky komision.
I pari i Sindikatës së Policisë ka folur për Gazetën Enigma edhe në lidhje sigurimin shëndetësor dhe jetësor, që ende është mungesë e këtij institucioni, ku ka thënë se kërkesat e sindikatës kanë qenë të vazhdueshme por nuk ka ndonjë hap konkret apo ndonjë lëvizje në atë drejtim nga ana e institucioneve.
“Bazuar në kërkesat tona që i kemi drejtuar në Ministri dhe në Qeveri, është që të bëhet një sigurim alternativ me qëllim që policia të bëhet me sigurim shëndetësor sa më shpejtë, para se të bëhet ligji për sigurime shëndetësore në nivel vendi, sepse ai ligj mendoj që është larg, pasi nuk ka filluar ende të hartohet dhe ekzekutohet, kur e dimë se puna në polici është më specifike, është punë që pavarësisht cilën pjesë të vendit gjinden zyrtarët policorë, e kanë të rrezikuar shëndetin dhe jetën”, ka thënë Zeqiri.
Ai tutje ka theksuar se sindikata ka propozuar që të bëhet një kontraktim qoftë me Zyrën Kosovare të Sigurimeve, qoftë me ndonjë kompani për realizmin e sigurimit alternativ.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka theksuar edhe faktin se janë në pritje të veprimeve nga Kuvendi i Kosovës në raport me peticionin që sindikata ka dorëzuar sesionin e kaluar me kërkesat e tyre.
“Ne jemi duke pritur veprimet nga komisioni parlamentar për peticionet që të shohim çka po veprojnë për një peticion që e kemi dërguar para dy muajve në kuvend. Premtimet kanë qenë që komisioni do të mblidhet pasi të fillojnë punën në kuvend dhe ndoshta këto situatat e fundit qe ndodhën e kanë shtyrë pak atë, por, ne do të presim nga këshilltarja e komisionit për peticione që ta thërret komisionin parlamentar të peticioneve dhe ta shqyrtojë peticionin tonë, e në këtë peticion janë të gjitha kërkesat dhe pakënaqësitë e Policisë Kosovës rreth kushteve”, ka thënë Zeqiri për Enigmën.
Ministria e Financave ende pa përgjigje konkrete për shtesat e rrezikshmërisë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se është duke u punuar në drejtim të definimit të shtesave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Siç edhe e kemi diskutuar, është një proces që ka të bëjë me ligjin e pagave në tërësi. Ka qenë një proces i ndërlikuar meqenëse bëhet fjalë për mbi 80 mijë zyrtarë publikë – pra është një sistem i tërë që është dashur të reformohet”, ka thënë Murati.
“Jemi në proces të definimit të këtyre shtesave, por edhe kompetencave dhe besoj që shumë shpejt do të kemi edhe përafrim të këtyre kërkesave në mënyrë që çdo gjë të vihet në vendin e vetë”, ka thënë ministri Hekuran Murati.
Ai tutje ka thënë se shteti çdo herë do të jetë pranë atyre që shërbejnë për të.
Kujtojmë se që nga pas lufta, 23 zyrtar policorë kanë rënë në krye të detyrës, ndërsa shumë të tjerë kanë pësuar lëndime. /Gazeta Enigma