Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është zgjedhur në mesin e trajnerëve nga FFK për tu pajisur me licencën UEFA Pro.
Kjo është licenca më e lartë që jepet për trajner nga UEFA.
Batatina prej shumë vitesh është në krye të Llapit, ku ka arritur edhe suksese të mëdha, duke fituar dy herë Kupën e Kosovës.
Këtë hap në karrierë, Batatina e sheh si shumë të rëndësishëm dhe për këtë ka folur për Telegrafin.
“Po është e vërtetë që do nis kursin për t’u pajisur me licencën UEFA Pro. Jam përzgjedhur nga Federata e Futbollit e Kosovës për të filluar me kursin. Kjo është një tjetër nismë e re për ngritjen time në karrierën sportive”.
“Po realisht kjo do të thotë shumë për karrierën time pasi trajnime të tilla e ngritin nivelin tim si kryetrajner. Mendoj që sukseset me Llapin kanë qenë determinuese për të vazhduar trajnimin e pajisjes me licencën UEFA Pro”, ka thënë Batatina.
‘Timonieri’ i Llapit njihet edhe për hapësirën e madhe që iu jep talentëve, ku Mirlind Daku, Valmir Veliu, Festim Alidema dhe Ilir Krasniqi janë disa nga më të spikaturit.