Liderët e Bashkimit Evropian e përmbyllën samitin dyditor në Granadë të Spanjës të premten, ku u fol edhe për Kosovën, duke e miratuar të ashtuquajturën Deklaratën e Granadës, e cila përfshin përkushtimin e bllokut për zgjerim dhe ftesën për vendet kandidate.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi atje takime të shumta, në mes të cilave edhe me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Osmani ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit, teksa tha se me sulmin e 24 shtatorit, është shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.
“Gjatë takimit të Komunitetit Politik Evropian u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, për të diskutuar për aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e qartë të nenit 3 të marrëveshjes së 27 shkurtit, që parashikon obligime që palët të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës”, shkroi Osmani në X, që më herët njihej si Twitter.
Marrëveshja të cilës iu referua presidentja Osmani është arritur më 27 shkurt në Bruksel. Më pas, Kosova dhe Serbia një muaj më vonë në Ohër janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kërkojnë që palët të zbatojnë këtë marrëveshje.
Neni 3 i kësaj marrëveshjeje thotë: Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.
Më 24 shtator, një grup personash të maskuar dhe armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe autoritetet thanë se gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Millan Radoiçiq – që ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka deklaruar se ka përgatitur dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
Autoritetet në Kosovë, që kanë argumentuar se synimi i sulmuesve ishte “aneksimi i veriut”, kanë paraqitur dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në sulm, përfshirë edhe pamje me dron ku Radoiçiq shihet i armatosur në Banjskë.
Kosova ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar nëse Serbia është përfshirë në sulm. BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa, teksa në bllokun evropian disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet për ngjarjet në Banjskë.