Procesi i vaksinimit nëpër Komuna organizohet nga Ministria e Shëndetësisë, prioritet janë të gjitha njësoj

Procesi i vaksinimit nëpër Komuna organizohet nga Ministria e Shëndetësisë, prioritet janë të gjitha njësoj

Prej fillimit të procesit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës deri më tani janë dhënë 90.217 doza të vaksinës, shkruan Gazeta Enigma.

Në lidhje me koordinimin e procesit të vaksinimit nëpër Komuna, Ministria e Shëndetësisë për ‘Gazetën Enigma’ ka thënë se vaksinimi kundër COVID-19 si proces shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa aktivitetet rreth organizimit bëhen nga MSH-ja.

“Vaksinimi kunder COVID-19 si proces shtrihet në gjithë vendin, ndërsa aktivitetet rreth organizimit te tij i mbikqyr Komiteti per imunizimin e popullates me vaksinën kundër COVID-19. Pra, si proces organizohet nga Ministria e Shëndetesisë dhe IKSHPK dhe realizohet edhe me ndihmën e Kujdesit Parësor Shëndetesor, përkatësisht njësive të vaksinimit në QKMF (Komuna)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për ‘Gazetën Enigma’.

Ndërsa, sa i përket Komunave se cilat kanë përparësi në vaksinim, MSH-ja u përgjigje duke thënë se prioritet janë të gjitha njësoj, duke theksuar se aktualisht procesi i vaksinimit po zhvillohet në 30 Komuna të vendit ku pritet që gjatë kësaj jave të kalohet numri prej 100 mijë të vaksinuar.

Tutje, thuhet se vaksinimi anti COVID-19 është duke u kryer tek personat e moshës mbi 65 vjeçare dhe personat që kanë sëmundje kronike, me përjashtim të moshës nën 18 vjeçare.

Ndërsa, mjekja në Spitalin e Gjilanit, Burbuqe Shkodra, ka thënë se procesi i vaksinimit është duke vazhduar në suaza normale, derisa ka theksuar se janë duke pritur që me 15 qershor të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve.

Tutje, sa i përket organizimit të procesit të vaksinimit, për ‘Gazetën Enigma’ ka folur edhe drejtori i qendrës për vaksinim në Gjilan, Ismet Uruqi, i cili tha se për momentin vaksinimi është duke u zhvilluar me katër ekipe, ndërsa ka theksuar se kur të fillon vaksinimi masiv, pritet të punohet me 10 ekipe.

Uruqi tha se vaksinimi veç se ka filluar, ku disa të moshuar të moshës mbi 65 janë vaksinuar por sipas tij mbi 4 mijë të tjerë të kësaj moshe janë ende pa u vaksinuar.

“Ne sitstemin e regjistrimit te ne ne Gjilan ka filluar qysh para 3 muajve. Te gjitha objektet qëndrore kanë libra ku personat regjistrohen me të dhënat personale dhe një nr kontakti. Regjistrohet dhe pret thirjen, pas selektimit te moshave. Te drejt regjistrimi kane te gjithë, por vaksionohen vetëm pasi te behet konkretizimi nga MSH-ja”, tha Uruqi për ‘Gazetën Enigma’.

I pyetur se a është furnizuar me vaksina të bollshme komuna e Gjilanit, Uruqi tha se në këtë komunë janë dy lloje të vaksinave, e që nesër pritet të filloj të jepet edhe doza e dytë.

Ndryshe, me 26 maj, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë mbajtur një takim virtual me Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional në përballjen me pandeminë Covid-19.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles