Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti sot në takim zëvendësdrejtorin për Europë i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec.
Makovec shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen me 24 shtator të rreshterit të Policisë së Kosovës, tashmë Hero i Kosovës, Afrim Bunjakun. Po ashtu, ai vlerësoi lart profesionalizmin, maturinë e menaxhimin e situatës nga Policia e Kosovës.
“U diskutua më hollësisht rreth këtij agresioni terrorist, paramilitar e kriminal, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Makovec rreth detajeve të këtij operacioni që shpërfaqin objektivat e Serbisë me synim në destabilizimin e rajonit”, ka njoftuar ZKM.
Gjithashtu në takim u bisedua dhe mbi pritshmëritë në kuadër të agjendës së integrimeve europiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Republika e Kosovës e vlerëson lart iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim. U theksua dhe se procesi i integrimit europian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave.
Në vizitën e tij dyditore në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë, Makovec ka shkuar edhe në Manastirin e Banjskës, i cili u shfrytëzua nga grupit terrorist më 24 shtator.
Makovec takoi përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Banjskës dhe diskutuan rolin e udhëheqësve fetarë në nxitjen e marrëdhënieve paqësore ndër komunitetet.
Zyrtari europian, para se të vinte në Kosovë, ka qëndruar edhe në Serbi.