Në rrjedhën e deklaratave të shumëta dhe të ndryshme nga akterët politik në Kosovë, ajo që ka rënë në sy pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit, janë përgatitjet e opinionit publik për mundësinë e një konflikti të ri në Ballkan, mes Kosovës dhe Serbisë.Kjo gjë përveç nga akter ndërkombëtar, u përmend edhe nga liderët vendor.
“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht”. Kështu tha kryeministri Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur të hënën në Tiranë përballë kolegëve president e kryeministra.
Kurti dje reagoi përmes një statusi në Facebook duke theksuar përurimin e shtatorës së ish-liderit të lëvizjes cetnike, Dragolub (Drazha) Mihailloviq, në Beograd.
Kurti tha se rruga ku u përurua kjo shtatore quhet “Bregalnicka” sipas betejës që Serbia ka zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Ballkanike kundër Bullgarisë në brigjet e lumit Bregallnica në Maqedoni të Veriut, përgjatë përpjekjeve të saj për zgjerim territorial.
Kreu i ekzekutivit shtoi se Serbia e sotme jeton në të shkuarën sepse konsideron që luftërat e saj nuk kanë përfunduar. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator sivjet është veçse edhe një betejë e atyre luftërave të papërfunduara nga pikëpamja e Beogradit zyrtar.
Afërsisht të njëjtin sinjal e dha edhe, presidentja Vjosa Osmani – Sadriu. Osmani pas një takimi me senatorë amerikan të mërkurën, tha për sulmin në Banjskë se synimet e tilla dashakeqe nuk mjaftohen vetëm me Kosovën por janë paralajmërim që Serbia ka për qëllim të destabilizoj tërë rajonin.
Herët në tetor të këtij viti, Osmani bëri një paraqitje televizive në CNN. Ajo deklaroi aty se Serbia po tenton t’i hap Putinit një front të ri në Ballkanin Përendimor.
Duke folur për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një efektiv, Osmani u shpreh: “Plani i mirëmenduar ishte përgatitur për një aneksim të veriut të Kosovës si ai i Krimesë. Serbia kërkon të lejojë Putinin që të hapë një front të ri në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që kjo të ndalet duke sanksionuar Serbinë. Nëse nuk ka dënim për Serbinë, ajo do të vazhdojë me këto agresione”.
Kujtojmë se përderisa Kurti po merrte pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq, udhëtoi në Kinë, ku takoi presidentin rus, Vladimir Putin, duke treguar “për orientimin e tij real politik”.
Ish-ambasadori Lulzim Peci, tha se nëse Perëndimi nuk ka plan B për Serbinë, regjioni mund të lëvizë drejt një kaosi “Nëse shtetet kyçe të perëndimit nuk kanë plan B për Serbinë, dhe të gjitha vezët janë vënë në shportën e tërheqjes së saj në drejtim të Brukselit, regjioni mund të lëvizë me hapa të sigurt drejt një kaosi te ri!”.
Peci nuk e quan rastësi, takimin e Vuciqit me Putinin në Kinë.
“Nuk është ngjarje e rastësishme që Vuçiqi në vend të takimit me liderët evropian në Tiranë, zgjodhi takimin me Putinin dhe Xi në Peking! Nëse plani B nuk ka qenë në tavolinë deri tani, është koha e fundit që të bëhet realitet dhe të vëhet në jetë!”, tha Peci.
Analisti politik, Gazmir Raci, cilëson se vet prezenca e 48 bazave ushtarake serbe përgjatë kufiri me Kosovën, tregon në vete se ekziston mundësia për një sulm të ri eventual.
“Vet ekzistenca e këtyra 48 bazave ushtarake të vendosura nga ana e Sërbisë përgjatë kufirit me Kosovën, tregon se Serbia ka me tentu me bo diçka. Serbia po vazhdon me i mbajtë aktive këto baza dhe është thanë që në veri ka grupe dhe individë që janë ende të armatosur. Edhe këto konfisikimet që po bëhen nga ana e Policisë, po tregojnë që ka ende grupe kriminale aktive aty” tha ai për Enigmën.
Raci komentoi edhe takimin e Vuciq me presidentin rus, Vladimir Putin, në një forum të organizuar nga qeveria kineze.
“Është takim ndryshe nga orientimi evropian që ka Serbia. Nëse Serbia dëshiron me u bo anëtare e familjes evropiane, duhet ta dënojë luftën ruse ndaj Ukrainës. BE duhet ta marrë si shënim këtë punën e filleve të takimit të Vuciqit me Putinin dhe Kinën. Nuk mundet me tentu me u bo anëtare e familjes evropiane edhe me u taku me kryekriminelin botëror, Putin” tha Raci.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se vendi mund të ketë një sulm të ri me skenar të njëjtë si 24 shtatori, nesë pesëshja e BE-së dhe ShBA-së nuk bën ndonjë zgjidhje eventuale.
“Situata në veri tani nga 24 shtatori është rikthy në një sferë tjetër e një luftë hibride me informacione të fabrikuara që për qëllim kanë mbajtjen e situates nën masat e tensionit duke i stërngarkuar personelin e sigurisë së Kosovës në atë pjesë. Në rast se tani nuk do të kemi ndonjë zgjidhje eventuale politike nga diplomacia e pesëshes SHBA & BE, atëherë mënyra e shpërfaqjës së skenareve do të jete një analogji e mundëshme sikur 24 shtatori 2023” tha Shala për Gazetën Enigma. /Gazeta Enigma/