Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, i është gëzuar shumë fitores ndaj Lirisë, ndërsa më pas ka kërkuar edhe përkrahjen e madhe për duelin ndaj Astanas në Ligën e Konferencës.
Ballkani mposhti Lirinë 4:1 të premten gjatë ditës në Suharekë. Të enjten luan ndaj Astanas.
“Do të thosha se Liria bëri futboll goxha të mirë në pjesën e parë dhe kaloi në epërsi. Rikthimi i Lirisë në Superligë është gjë e mirë. I përshëndes edhe tifozët për korrektësinë e tyre, që kishin ardhur për ta përkrahur skuadrën. Liria i mungonte prej disa vitesh Superligës. Përveç që shënuan gol, patën edhe disa raste. Neve na ndihmoi shënimi i golit në fillimin e pjesës së dytë, e më pas goli i dytë erdhi shpejtë. Në pjesën e dytë patëm ritëm dhe tani na pret ndeshja e vështirë me Astanan”, tha Daja fillimisht.
Ai foli edhe për lëndimin e Almir Kryeziut.
“Kryeziu nuk e di se si e ka gjendjen. Nuk e kam të qartë se çfarë ka ndodhur, por do të flas me stafin mjekësor. Ai është lojtar që na shërben shumë në Superligë dhe në garat e Evropës. Për ndeshjen ndaj Astanas, mesazhi është që tifozët ashtu siç na kanë mbështetur, kryesisht tifozët tonë nga Suhareka ‘Xhebrailat’, me të gjithë tifozët e tjerë në Kosovë, sepse Ballkani është i gjithë Kosovës, jo vetëm i Suharekës. Shpresoj edhe kësaj radhe të jetë po e njëjta mbështetje, ashtu si në ndeshjet e tjera. Lojtarët janë akoma më të motivuar me prezencën e tyre, sepse futbolli luhet për ta”, është shprehur Daja.