Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti për komunat në vitin e ardhshëm do të jetë 742 milionë euro.
I pari i qeverisë tha se në vitin 2021 buxheti ishte 547 milionë, sivjet 654 milionë euro, ndërsa vitin tjetër do të jetë 195 milionë më shumë se vitin e parë të qeverisë së udhëhequr nga ai.
“Pra mbështetja jo vetëm që nuk ka munguar, por ajo vetëm sa është shtuar. Granti i përgjithshëm për komuna tani është më i larti ndonjëherë. Kemi zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mjedisit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal përmes ‘Kartës së Komunës së gjelbër dhe të qëndrueshme’”.
“Në dhjetor 2021 inauguruam ngrohjen me biomasë në Komunën e Gjakovës. Ndërkaq në proces e sipër është studimi i fizibilitetit për ngrohje qendrore në gjithsej tetë komuna, në mënyrë që qytetarët të kenë ngrohje të qëndrueshme me çmim të përballueshëm”, shkroi Kurti në Facebook.
Më tej, Kurti tha se anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare “Open Government Patnership”, e ka rreshtuar Kosovën me shtetet më demokratike në zotimin për qeverisje të hapur, llogaridhënës e gjithëpërfshirës.
“Miratimi i Ligjit të Performancës do ta rrisë transparencën e komunave ndaj qytetarëve. Kurse lansimi i Platformës E-Komuna ua lehtëson qytetarëve marrjen e shërbimeve komunale”.
“Ndër të tjera, në këto dy vjet e gjysmë janë nënshkruar gjithsej 15 nisma për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkombëtar, kemi mbështetur afër 150 projekte të ndryshme kapitale në komuna përmes programeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë për Zhvillimin Rajonal, mbi 1500 të rinj nga 10 komuna të ndryshme kanë përfituar nga programi ‘Komunat për të rinj’, dhe janë ndarë 3 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë”, shkroi Kurti.