Kosova është ngjitur për pesë pozita në ranglistën e FIFA-s për kombëtare.
Me këtë ngjitje, kombëtarja jonë ka arritur edhe pozitën më të mirë ndonjëherë që prej pranimit në FIFA e UEFA.
Kosova, pas ndeshjeve kualifikuese për Euro2024 renditet në pozitën e 105-të, që është më e mira ndonjëherë.
Në ranglistën e shtatorit, Kosova renditej e 111-ta.
Kombëtarja në tetor zhvilloi vetëm një përballje, ndonëse në kalendar i kishte dy.
Ndeshjen me Andorrën, djemtë e Kosovës e fituan me rezultat bindës 3-0, ndërsa përballja me Izraelin, e planifikuar të zhvillohej më 15 tetor, u shty pas sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Kjo ndeshje është riplanifikuar nga UEFA për 12 nëntor.
Megjithatë, ka mjaftuar kjo fitore që ekipit të Primoz Glihas t’i jepet kredit dhe të shënojë ndër ngritjet më të mëdha të kombëtareve në vlerësimin e FIFA-s për tetor.
Megjithatë, në top-treshe nuk ka ndryshime: Argjentina mban vendin e parë bindshëm me 8.18 pikë, e ndjekur nga sfiduesi më i afër, Franca. Pas tyre është Brazili, por që rrezikohet nga Anglia në vendin e katërt.
Belgjika është në pozitën 5, Portugalia në të 6-tin, Holanda (7), Spanja (8), Italia (9) dhe Kroacia në të 10-tin.