Gjykata Speciale e ka ftuar për intervistë komandant Rrustem Mustafën por që më vonë i ka rënë pishmon.
Kjo është është bërë e ditur vetë nga Mustafa gjatë mëngjesit të sotëm përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
‘’Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, me 3.11.2023, në ora 09:00.Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar’’, ka shkruar Mustafa.
Më tutje Mustafa ka thënë se ai është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në favor të drejtësisë.
‘’Në lidhje me këtë çështje dua ta konfirmoj edhe një herë përcaktimin e përkushtimin tim.Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë.Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë.Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundosojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit.Jam me fat që kam qenë njëri nga protagonistët e kësaj lufte, dhe të vërtetën e saj jam i gatshëm ta mbroj në çfarëdo cilësie’’, ka thënë më tutje Mustafa.
Falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin ne si komb dhe si shoqëri, ka shtuar Mustafa.