Një person ka humbur jetën, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në rrugën Prishtinë – Ferizaj, saktësisht në Veternik.
Sinjali mëson se viktima është 47-vjeçari, Valdet Bajraktari, i cili s’arriti t’i përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
Ndërsa katër të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spital, ku po vazhdojnë ende trajtimin mjekësor.
Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, njëri nga të lënduarit është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Një tjetër i aksidentuar vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është transferuar për trajtim të mëtejmë në Mjekimin Intensiv Qendror-QKUK”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete, një veturë e parkuar dhe dy në lëvizje.
“Sot rreth orës 01:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, tri automjete (një veturë e parkuar), ndërsa dy kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar pesë persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti.