Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vijë të hënën pasdite në Kosovë.
Vizitën e ka konfirmuar për KOHËN, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Po, Lajçaku është në Kosovë sot edhe nesër”, ka thënë Ioanna Lachana nga zyra e BE-së.
Vizita e Lajçakut në Kosovë nuk është paralajmëruar më herët dhe nuk dihet ende për agjendën e tij.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mioslav Lajçak, për herë të fundit ishte në Kosovë më 21 tetor i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë.
Qeveria e Kosovës pati njoftuar se nga takimi i 21 tetorit është dakorduar që “plani i ri” i propozuar nga pesë diplomatët perëndimorë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, krahas drafit për “zbatimin e nenit 7”, siç e quan Qeveria, e që BE-ja të martën e ka identifikuar si “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, të jetë bazë për diskutimet e ardhshme.