KEDS njofton se po investon fuqishëm në komunën e Deçanit dhe se kompania ka në implementim e sipër 27 projekte anekënd kësaj komune.
Bëhet e ditur se pas realizimit të tyre, me rrjet të ri elektrik do të bëhen mbi 10 mijë banorë të asaj ane.
Konkretisht, KEDS-i ka filluar realizimin e projekteve në fshatrat Ratishë, Irzniq, Prokolluk, Gllogjan, Shllup, Pobergj dhe Dranoc.
“Ky projekt kapital, i cili kap shumën prej afër dy milionë eurosh, bën pjesë në kuadër të planit investiv të KEDS-it dhe pritet të përfundojë përgjatë periudhës 2024-2025”.
“Parapërgatitjet po bëhen edhe për fillimin e punimeve në fshatrat e tjera të kësaj komune, si në Isniq, në Strellc të Epërm dhe në Strellc të Ulët. Projekti në këto fshatra fillon në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.