Që nga 3 qershori i këtij viti Komuna e Gjilanit është pa drejtor të Shëndetësisë dhe pa drejtor të Financave, shkruan Gazeta “Enigma”.
Prishja e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, në qershorin e këtij viti la bosh këto dy pozita.
Këtë për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, Besart Selimi, i cili ka deklaruar se deri më tani këto drejtori kanë funksionuar edhe pa ushtrues detyre.
Sipas Selimit të gjitha punët që duhet të kryhen nga këto drejtori nga 3 qershori e deri më tani po i kryen kabineti i kryetarit.
“Komuna e Gjilanit është pa drejtorë të Shëndetësisë dhe Financave që nga prishja e koalicionit të LVV-së dhe PDK-së në anamoravë”, tha Selimi për “Enigmën”.
Tutje ai ka shtuar se “kabineti i kryetarit Alban Hyseni po i kryen të gjitha punët që duhet të kryhen nga këto drejtori”.
Në pyetjen tonë se pse nuk ka drejtor deri më tani, ku qëndron problemi që dy sektorët më të rëndësishëm janë pa zot shtëpie Selimi tha se kryetari shumë shpejt do ta emëroj drejtorin, ndërsa për çështjet tjera sipas tij nuk i takon të kthej përgjigje.
Shpresa Kurteshi asambliste nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin Komunal të Gjilanit në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha LDK si subjekt politik është shumë i shqetësuar për të gjitha zhvillimet që janë duke ndodhur në këtë Komunë.
“Jemi shumë shqetësuar për krejt këtë çështje që është duke ndodhur, ku përgjegjës kryesor për këtë është vet kryetari i cili e ka neglizhuar. Janë dy digastere që janë shumë të rëndësishme brenda komunës ku për një periudhë kaq të gjatë kohore mos me pas drejtues brenda saj”, tha Kurteshi-Emini për “Enigmën”.
Tutje ajo ka theksuar se “kjo nuk është shenjë e qeverisjes së mirë, por cilat do qofshin arsyet”.
“Me tërheqjen e PDK-së nga koalicioni këto dy drejtori që kanë qenë në udhëheqje nga kjo parti, ku drejtoria e Shëndetësisë ka qenë e drejtuar nga Aurora Osmani dhe drejtoria e Buxhetit dhe Financave nga Riad Rashiti, ku prej prishjes së koalicionit ata janë dorëhequr dhe prej atëherë këto dy dikastere janë pa udhëheqës”, tha Kurteshi-Emini.
“E gjithë kjo pa dyshim që i kushton qytetarëve në mënyrë direkte”
Sipas saj e gjithë ka ndodhur si pasoj e një qeverisje jo të mirë.
“Ne shumë mirë e dimë se përderisa një dikaster i tillë nuk ka mundësi me veprua pa drejtor ose ushtrues detyre për drejtor, ku janë dy pozitat kryesore që marrin vendime të ndjeshme për drejtori”, tha ajo.
“Nëse Alban Hyseni ka vendosur që vet të udhëheq me këto dy drejtori, e quaj gabim! Nuk mund t’i shërbej funksionimit normal të tyre!”, ka përfunduar Kurteshi-Emini. /GAZETA ENIGMA/