Janë bërë më shumë se tri javë që kur Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua draft-statuti evropian për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe ende nuk dihet se çfarë në fakt përmban ai draft.
Në një përgjigje për Rtv21 Bashkimi Evropian tha se propozimi për draft-statutin e Asociacionit nuk është publikuar pasi përpjekjet diplomatike për këtë çështje janë duke vazhduar.
“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik, pasi përpjekjet diplomatike janë duke vazhduar. Ne kurrë nuk publikojmë dokumente zyrtare që janë në diskutim e sipër dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet në media që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se drafti i BE-së përfshin parimet Kushtetutese dhe ligjore të Kosovës, por që ende nuk është final derisa nuk përmbyllet procesi i diskutimit.
“Jemi në këtë proces që ka një historik mbi 10 vite dhe problematikat kryesore janë që i kemi trashëguar. Ajo që po mundohet të bëhet nga kryeministri është që ky mekanizëm të zbehet sa më shumë në fuqinë e saj që të operojë kundër sistemi ilegal dhe legjislativ të vendit duke mos rrezikuar çështjen e shtet funksionimit të tij apo rendit kushtetues në këto rrethana shohim që ka përparim në terren…nuk ka një dakordancë për një draft final në tavolinë kemi një palë që nuk është në pajtueshmëri për të ecur me tutje me këtë draft por kjo na është zotuar nga kryeministri Kurti që në momente të tilla kjo do të jetë transparente si për publikun si për deputetët. Nuk mund të konfirmojë(draftin e publikuar)një gjë të tillë sepse kjo është çështje që trajtohet në kuadër të konfidencialitetit që trajtohet nga palët kështu që ende la arritur në një fazë finale nuk është që ka marrë publikimin në një spektër më te gjerë të akterëve të involvuar”.
Opozita ndërkaq thotë së ka shumë paqartësi se si është arritur deri tek hartimi i këtij drafiti për Asociacionin.
“Krejt këtë proces e karakterizon një jotransparencë e madhe po flasim për një organizim territorial, të vetëmenaxhimit të serbëve në RKS që e prek një pjesë të terrritorit dhe transferohen kompetencat nga niveli lokal tek niveli i këtij asociacioni. Qarkullon një draft që e kemi në dispozicion nga burime jozyrtare por se dimë cilat janë të metat e atij drafti që kryeministri i ka adresuar që i përmendi edhe në seancë. Ne si qytetarë e meritojmë ta dimë cilat janë shqetësimet e qeverisë se Kosovës dhe a përputhen me shqetësimet tona si opozita… Mosprezantimi i draftit është një papërgjegjësi jashtëzakonisht e madhe tash e kemi një draft që s’po mundemi me u shmang..
“Aty po fshihet diçka dhe derisa në deputetët të zgjedhurit e qytetarëve se kemi draft statutin se di si me i thanë kontrabandim apo diçka tjetër. Ajo që ka dalë në sipërfaqe që ka dalë në media s’duhet t’i besoj sepse përderisa nuk kemi draft zyrtar dhe të diskutohet në Kuvend është e papranueshme për në. Duhet të bëhet publik qytetarët janë në ankth në pritje dhe mendoj që kryeministri Kurti është duke bërë gjënë më të dobët të mundshëm që nuk e bënë transparent draftin”.
Qeveria e Kosovës një ditë më parë tha se drafti i BE-së tashmë do të duhej të ishte publik, por që do ta respektojnë kërkesën e shteteve sponsorizuese për konfidencialitetin e tij.