Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e radhës, në të cilën ka:
– Miratuar Projektligjin për ndryshmin dhe plotësimin e Ligjeve që Përmbajnë Procedura të Veçanta Administrative dhe Harmonizimin e tyre me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Faza e Dytë. Përmes tij do të sigurohet garantimi i respektimit të parimeve të përgjithshme dhe niveli i mbrojtjes së të drejtave dhe interesave juridike të palëve.
– Miratuar vendimin për listën e pozitave për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës, përkatësisht shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Këto shtesa do të fillojnë së aplikuara nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Paga, ato do të ndahen në mënyrë retroaktive. Me miratimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë 7991 zyrtarë policorë.
– Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 09/ 67 të datës 9 mars 2022 për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava, Sh. A. Gjilan. Përzgjedhja e kryesuesit të Bordit të ndërmarrjeve publike është kompetencë e Qeverisë, andaj për Bordin e ndërmarrjes publike Hidromorava, në kuadër të riformatimit të Bordit si dhe të rishpërndarjes së përgjegjësive brenda bordit, kryesuese e Bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit Hidromorava Sh.A, Gjilan, caktohet Filloretë Gashi Sadiku, ndërsa kryesuesi i deritanishëm caktohet anëtar i këtij Bordi.
– Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronës së paluajtshme, ish-shoqërore P. Sh. IGK “Ballkan” Njësia Damper, (ish Kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me përfundimin e procedurave të shpronësimit sipas hapave ligjore të ndërmarra nga MMPHI do të kompensohen në vlerën prej 20% të shumës edhe punëtorët e ish-fabrikës “Ballkani”.
– Ndryshuar dhe plotësuar Programin vjetor 2023 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
– Miratuar vendimin për blerjen e objektit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg të Francës. Ky vendim i hap rrugë fillimit të procedurave të blerjes ashtu siç parashihet në legjislacionin respektiv në fuqi.