Vazhdon të varfërohet shporta e qytetarëve, Qeveria ende pa asnjë masë për zbutjen e çmimeve

Vazhdon të varfërohet shporta e qytetarëve, Qeveria ende pa asnjë masë për zbutjen e çmimeve

Ndonëse Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK), është më i lartë në një mesatare prej 3,3% në muajin tetor të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë masë lehtësuese për zbritjen e çmimeve, theksojnë njohës të ekonomisë, shkruan Gazeta Enigma.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kjo rritje kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it (Klasifikimi i konsumit individual sipas qëllimit), që përfshijnë: Perimet (15,9%), pemët (12,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (11,1 %), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (8,4%), prodhimet ushqimore (7,5%), pijet joalkoolike (6,9%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (6,9%), pijet alkoolike, duhani (5,6%), rekracioni dhe kultura (5,3%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (5,1%), blerja e automjeteve (4,9%), buka dhe drithërat (4,7%), restorantet dhe hotelet (4,1%), veshje dhe këpucë (3,5%), mallrat dhe shërbimet e ndryshme (3,2%), energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera (2,6%) dhe mishi (2,1%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,8 për qind në IHÇK.

Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat (-11,3%) , lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj (-9,5%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (-1,8%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,5 për qind në IHÇK.

Përkundër mos ndryshimit në muajin tetor 2023 të Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit krahasuar me muajin shtator 2023, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOPI-it.

Rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-1,0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,1 për qind në IHÇK.

Ndërsa ngritja e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: veshjet dhe këpucë (1,7%) dhe mallrat dhe shërbimet e ndryshme (1,2%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,1 përqind në IHÇK.

“Qeverisë kjo i konvenon, duke ndenjur i vijnë të hyrat me automatizëm”

Haki Shatri, njohës i çështjeve të ekonomisë, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka theksuar ngritjen e çmimeve dhe pasojat që rrjedhin nga ky inflacion.

“Janë rritë çmimet krahasim me vitin e kaluar. Domethënë çmimet që janë rritë, janë rritë mbi rritjen e vitit të kaluar. Vitin e kaluar ka pasë rritje, tash atyre çmimeve, i janë shtuar edhe 3.3 përqind”.

“Domethënë, në varfërimin e qytetarëve për atë përqindje, derisa s’ka rritje të pagave e ka rritje të çmimeve, aq përqind më pak mundet me ble një shërbyes civil ose një një i punësuar, që si ka ndryshuar paga. Sa rriten çmimet, atij i zbriten artikujt në shportë”, theksoi Shatri.

Shatri tutje theksoi faktin se ndonëse Qeveria përfiton nga rritja e çmimeve, ai përfitim nuk po përdoret në të mirën e qytetarëve.

“Ata që janë vendimmarrës nuk e konsiderojnë marrjen e masave për zbritje të çmimeve. Qeveria duhet me reagu në këtë aspket. Qeveria po kqyr vetëm si me i mbledh tatimet, se rritja e çmimeve i rrit edhe të hyrat buxhetore dhe Qeverisë kjo i konvenon, duke ndenjur i vijnë të hyrat me automatizëm. TVSH-ja në çmim të rritur është më e madhe për çdo artikull dhe ajo me automatizëm derdhet në arkën e shtetit dhe i konvenon, por nuk ua kthenë qytetarëve në buxhet, me paga, me investime, me pensione, por po i mbanë dhe po i shpërndanë sipas dëshirës së vet”, theksoi Shatri për Gazetën Enigma.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, ndër të tjera thekson faktin se mund të vazhdojë edhe më tej trendi i rritjes së çmimeve.

“Sipas këtij trendi po shihet që rritja e çmimeve, do të thotë në vazhdimësi muaj pas muaji, po pasqyrohet si trend në rritje, ne nuk mundemi me parapa për një kohë të gjatë, por këta muaj si po e shohim, nuk ka me pas ndonjë aktivitet ekonomik që i zbret çmimet. Por, rritet nevoja për energji, shtrenjtohet, do të thotë rritet pagesa për energji, rriten shpenzimet tjera për sezonin e dimrit, dhe normalisht standardi ngarkohet dhe bie standardi jetësor”, theksoi Shatri.

Kujtojmë se sipas Institutit GAP, paga më e lartë mesatare është në komunën e Prishtinës me 677 euro bruto ndërsa më e ulëta është në Partesh me vetëm 233 euro, dhe me një mesatare prej 401 euro. /Gazeta Enigma

Related Articles