PDK: Shkarkimi i Dakës u bë me urdhër të Vetëvendosjes

PDK: Shkarkimi i Dakës u bë me urdhër të Vetëvendosjes


Pas shkarkimit të ish kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, ka reaguar partia opozitare, PDK, raporton Gazeta “Enigma”.

Deputetja kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar sot se shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është veprim politik i presidentes Vjosa Osmani nën urdhrat e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot zbatoi urdhrin politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për ta kapur edhe një institucion të pavarur kushtetues të Kosovës siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është sulm direkt mbi KQZ-në dhe kapje e këtij institucioni”, tha Deliu-Kodra në konferencë për media.

Tutje ajo shtoi se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tash e sa vite është vlerësuar nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për organizimin e zgjedhjeve kredibile, më të mira në rajon. Sot presidentja Vjosa Osmani përmes urdhrave politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, e goditi pavarësinë e KQZ-së dhe po vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtij institucioni në prag të zgjedhjeve lokale”.

Për shkarkimin e Dakës ajo vuri gishtin kah partia në pushtet, VV-ja.

“Para se të vijnë deri tek shkarkimi politik i zonjës Daka, Lëvizja Vetëvendosje u kujdes që së pari ta indimidojë atë duke filluar nga sulmet e ulëta në mbledhjet e KQZ-së nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes aty, e nga jashtë duke e linçuar përmes aktivistëve të dhunshëm nëpër rrjete sociale. Kjo flet më së miri për dhunën politike që ka nisur ta ushtrojë qeveria e Albin Kurtit nëpërmjet presidentes Vjosa Osmani për goditjen e institucioneve të pavarura dhe për kapjen e tyre nga mbesat dhe nipërit e pushtetit të Vetëvendosjes”, tha Deliu-Kodra.

Kujtojmë se Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./Gazeta Enigma.

Related Articles