Dita e 28 e muajit nëntor është e veçantë për çdo shqiptarë, pavarësisht vendndodhjen. Në vendet e Evropës, Shqipëri, Kosovë apo Luginë, e në vende të ndryshme të botës ata festojnë po njësoj, nën flamurin kuq e zi, shkruan Enigma.
111 vite më parë, në vitin 1912 në qytetin e Vlorës delegatë nga të gjitha krahinat shqiptare u bënë bashkë dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë.Kjo ditë është ngjarja më e madhe historike për popullin shqiptar, pas më shumë se 600 vjet nën pushtimin osman.
Por a po festohet kjo festë njësoj sikurse në vitet e kaluara, tregon historiani Haxhi Ademi.
Në një intervistë për Gazetën Enigma ai thotë se festa e 28 nëntorit është e pazëvendësueshme për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës.
“Nëntorët shqiptarë 1443, 1912, 1997, kanë shërbyer si hallk për të lidhur përpjekjet për pavarësi dhe liri të shqiptarëve nga pushtuesit osman.Kjo festë është e pa kapërcyer, e pa krahasuar dhe e pazëvendësueshme për shqiptarët. Shpallja e Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit tonë. Ajo ishte fryti i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore kundër të huajve për të mbrojtur vendin dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar”, tha Ademi për Gazetën Enigma.
Historiani Ademi thotë se më 28 nëntor të vitit 1912 Kuvendi i Vlorës ka shpallur Pavarësinë jo vetëm të Shqipërisë së sotshme por për të gjitha trevat shqiptare.
“Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nga njëra anë shteti shqiptar mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zjedhën e huaj e për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut , e nga ana tjetër hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur Pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme dhe për të siguruar bashkimin kombëtarë të gjymtuar rëndë”
“Kuvendi i Vlorës ka shpallur Pavarësinë jo vetëm të Shqipërisë së sotshme por për të gjitha trojet shqiptare. Kuvendi i Vlorës e shpalli Pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Akti i shpalljes së Pavarësisë ishte një akt ceremonial, që nuk kishte afishe, dhe sfidat e shtetit të sapo krijuar ishin të mëdha si në organizim të brendshëm gjithashtu edhe në marrëdhëniet jashtë”, u shpreh historiani.
Por, a është shuar entuziazmi i shqiptarëve të Kosovës për këtë festë, sipas historianit.
“28 nëntori është festë kombëtare e shqiptarëve kudo që ndodhen ata. Rrjedhimisht festimi duhet parë në këtë kontekst ngase kjo është festë kombëtare. Madje, me bindje të thellë mund të themi se më me shumë entuziazëm festohet kjo festë jashtë kufijve të shtëtit shqiptar se brenda tij”, theksoi Haxhiu për Enigmën.
Kurse teksa foli për faktin se Kosova nuk e shënon si festë zyrtare 28 nëntorin, ai tha se kjomund të shkaktojë “ndjenja të ndryshme” tek shqiptarët në Kosovë.
“Disa shqiptar në Kosovë mund ta shohin si humbje të një pjese të trashëgimisë historike dhe kulturore”, vazhdoi Ademi për Enigmën.
Por ai beson se Kosova dhe institucionet e saj e festojnë denjësisht 28 nëntorin.
“Ndonëse kjo festë nuk figuron në kalendarin zyrtar, në vitet e fundit ka marrë përmasa të një feste zyrtare, pasi me nderimet më të larta shtetërorë zhvillohen aktivitete të shumta institucionale në shënimin e kësaj feste të madhe për shqiptare. Konsideroj se 28 nëntori nuk duhet të mbesë vetëm si festë ceremoniale dhe jashtë kalendarit të festave zyrtare n Kosovë, ngase historia e Kosovës dhe vetë popullit të saj është i lidhur me 28 nëntorin”, tha Haxhiu.
Sipas tij “Organizimi i një feste të përbashkët për nder të 28 nëntorit, ditës së flamurit, nga të dy shtetet Shqipëri-Kosovë mund të jetë një shenjë e bashkëpunimit dhe forcon lidhjen mes popullit shqiptar të ndarë padrejtësisht. Një organizim i tillë mund të kontribuojë në ndërgjegjësimin dhe respektimin e historisë dhe kulturës së përbashkët, duke theksuar vlerat e ndara si popull”.
Edhe historiani Frashër Demaj këtë datë e cilëson si datë më të rëndësishme për popullin shqiptar.
“28 nëntori është festa më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në të katër vilajetet shqiptare ishte kurorëzim i përpjekjeve të tyre për formimin e shtetit kombëtar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878. Por fati historik i shqiptarëv edhe copëtimi i territoreve etnike në Konferencën e Ambasadorëve në Londër ndikoi që Kosova dhe viset tjera të mos përfshihen brenda shtetit shqiptar”, tha Demaj për Enigmën.
Demaj thotë se “Ne jemi shqiptarë me shtetësi kosovare, dhe se ndjesia për këtë festë nuk është zbehur dhe nuk do të zbehet sepse kjo festë i bashkon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”.
Sipas tij heqja nga kalendari i 28 nëntorit në Kosovë është gabim, sepse kjo festë është festuar edhe në ditët më të vështira, kur Kosova ka qenë e okupuar, dhunuar, persekutuar e burgosur nga serbët.
“Heqja nga kalendari i festave në Kosovë është gabim sepse ne kemi festuar edhe në ditët më të vështira t ëokupimit klasik të Serbisë në Kosovë, kur jemi dhunuar, persekutuar e burgosur për shkak të manifestimit të ndjenjave kombëtare. Sot jetojmë të lirë, t ëpavarur në një shoqëri demokratike dhe është në të drejtën tonë t’i festojmë festat që krijojnë ndjesi dhe emocion të veçantë ndër ne. Pra, festa e Pavarësisë së Shqipërisë duhet të rikthehet në kalendarin e festave kombtëare e shtetërore në Kosovë”.
Historiani Demaj theksoi se “Organizimi i një feste të përbashkët për shqiptarët fuqizon edhe më shumë shqiptarët duke i afruar mes veti ku të bashkuar hapin shtigje të reja në drejtim të prespektives kombëtare”./GAZETAENIGMA/