Finalja e Ligës së Kampionëve për sezonin 2029/30 do të luhet në Abu Dhabi si pjesë e kontratës së re gjashtëvjeçare të UEFA-s me Emiratet e Bashkuara Arabe, me vlerë 2.2 miliardë euro, shkruan OK Diario.
Kjo marrëveshje me Emiratet është përgjigje ndaj vendimit të gjykatës lidhur me projektin e Superligës, i cili pritet të merret së shpejti në Luksemburg jo në favorin e UEFA-s dhe do të jetë i vlefshëm nga sezoni i ardhshëm.
“UEFA e di se më 21 dhjetor mund të humbasë padinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Superligën dhe ka rënë dakord me Abu Dhabin për të sponsorizuar Ligën e Kampionëve. Ata duan ta bëjnë garën më tërheqëse për klubet dhe të shmangin dezertimin e Superligës”, ka thënë Eduardo Inda në emisionin El Chiringuito de Jugones.
Vendimi pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës të komitetit ekzekutiv të UEFA-s në Paris më 7 shkurt përpara shortit për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.
Njeriu kryesor për ekzekutimin e projektit nga ana e UEFA-s është zëvendëssekretari i përgjithshëm Giorgio Marchetti i cili konsultohet me bordin ekzekutiv për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë.
Sipas mediave spanjolle, UEFA do t’i shesë të drejtat për të gjitha garat e UEFA-s, duke përfshirë femrat dhe futsalin, për rajonin e Lindjes së Mesme.