Kryeministri Albin Kurti ka takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Berlin.
Kurti ka thënë se në takimin me shefin e qeverisë gjermane janë dëshmuar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe vizioni i përbashkët si socialdemokratë për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
Gjatë kësaj vizite, Kurti ka thënë se ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së, për të cilën tha se fokus i bisedës ishte fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat.
“Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar ai.
Kurti gjithashtu njoftoi se gjatë qëndrimit në Gjermani ai është takuar edhe me mërgatën atje, për të cilët tha se i ka informuar për zhvillimet në vend.