Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishte dialog por shpalosje idesh.
Drejtorit i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Ymeri, tha se nëse qëndrimet e palës kosovare dhe asaj serbe mbetën të njëjta, gjasat për arritje të një marrëveshje janë minimale.
“Gjykuar nga deklarimet e Kurtit dhe të Vuçiqit shihet që janë t’u fol për dy gjëra të ndryshme, rrjedhimisht kjo nënkupton që takimi i djeshëm, nuk ka qenë fare dialog po ka qenë një lloj shpalosje ideve, qëllime, qëndrimeve të secilës palë. Nëse këto qëndrime mbetën të pa ndryshuara nga dy palët, nuk shoh mundësi të përafrimit të tyre. Natyrisht, që unë mendoj se këto kanë me u ndryshua dhe kemi me ardhur në një dialog të vendosur në binar të caktuar, ajo që unë po e kuptoj që po tenton ta bëjë kryeministri Kurti me dialogun është që ta raviezoj një lloj formati tjetër të dialogut, do me thënë temat të cilat diskutohen dhe synimet që dialogu duhet t’i ketë sipas perspektives të Kosovës në përgjithësi”.
Tutje, Ai tha se duhet të riformatizohet dialogu dhe kërkesat e Kosovës të jenë në koordinim me faktorin ndërkombëtarë.
“Tash asnjë prej njerëzve në Kosovë nuk mund të thotë se këto janë qëndrime të dëmshme ose të padobishme për Kosovën, mirëpo unë mendoj duhet të diskutohet mundësia e riformatizimit të dialogut dhe nëse idetë e tilla do mund të jenë të pranueshme, për Serbinë jo se jo, por as për ndërmjetësuesin ndërkombëtar, dhe për mu kjo është pikëpyetja kryesore, se këto qëndrime të kryeministrit tonë janë të diskutuara më parë me partnerët e miqtë tanë apo janë të shtruara në tavolinë krye në veti nga Kosova. Jo që Kosova nuk e ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë. Jo që unë nuk kam dëshirë që kryeministri të bëjë një gjë të tillë, po mendoj se efekti i tyre do të jetë jashtëzakonisht i vogël”.
Sipas Ymerit, Kurti dhe Vuçiqi nuk e shohin dialogun ashtu siç presin ndërkombëtarët, pasi kryeministri i Kosovës nuk është i gatshëm të bëjë kompromis, ndërsa presidenti i Serbisë nuk e sheh si opsion njohjen.
“Tash nga këto qëndrime që i pamë dje, as kryeministri Kurti s’e kupton dialogun si proces në të cilin është i gatshëm për kompromis, as Vuciqi s’e kupton dialogun si proces për të cilin duhet ta njohë Kosovën dhe nëse këto dy gjëra nuk janë gatishmëri të palëve, mundësia për të pasur marrëveshje është minimale. Tash ne çka duhet këtu në Kosovë të flasim, për mendim tim janë dy gjëra, e para është ajo idealja për të cilën pajtohemi gjithë, dhe e dyta është ajo çka është realiste me mbërri dhe apo dojmë me mbërri atë apo jo. Po ashtu, apo e humbim një moment për të arritur një marrëveshje potenciale me Serbinë, sepse nuk kemi kurrfarë mundësie me arrit marrëveshje me Serbi, e kuptoj sjelljen e kryeministrit dhe e inkurajoj një sjellje të tillë. Por nëse ka mundësi, atëherë duhet të mendojmë dy herë se a po e shfrytëzojmë këtë mundësi, gjithnjë nëse është në favor të interesave tona”, tha Ymeri për EO.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.