Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë do të fillojë me 16 shtator dhe do të zgjasë për një muaj, deri më 15 tetor.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e mbajtur të enjten në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Ndërsa nga ata 10 korrik deri më 20 gusht, do të mund të aplikojë diaspora, ku qyetarët me të drejtë vote nga diaspora, mund të votojnë nga data 4 shtator deri më 15 tetor.
Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani, i ka uruar marrjen e detyrës së re, Kryetarit të ri duke i rikujtuar misionin fisnik të këtij institucioni për ta ndarë nga ngjyrat e partive politike.
“Njëherësh të uroj të jeni një gardian i fortë i Kushtetutës së Republikë së Kosovës i ligjeve në fuqi dhe njëherit edhe gardian i KQZ-së në raport me tendencat dhe agjendat politike të subjekteve politike”, ka thënë Elshani.
Ndërsa, Kryeshefi i Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, gjatë mbledhjes ka bërë të ditur se numri i votave do të bëhet nën monitorimin e kamerave.
“Zgjedhjet të cilat do te mbahen me 17 tetor 2021, krahas kësaj ka përgatitje edhe të materialit zgjedhorë. Krahas përgatitjeve për zgjedhje të planit rreth stafit që do të përgatiten rreth zgjedhjeve lokale, dhe buxhetin e planifikuar”.
“Në kuadër të angazhimit të stafit sekretariati do të marr një sërë masash që ndërlidhen me Qendrën e Numërimit të rezultateve. Do të bëhet regjistrimi me kamera në secilin tavolinë gjatë numërimit në QNR”, tha ai.
Ahmetaj ka bërë të ditur se do të huazohen edhe kamerat nga Shqipëria.
“Kamerat janë planifikuar, të cilat kamera i ka përdoruar Shqipëria dhe mendojmë që t’i huazojmë. Ndërsa pjesa e materialeve të regjistrimit do të mbulohet nga sekretariati”, ka shtuar ai.
Ndërsa ka treguar se do të rekrutohet edhe staf për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.
“Masë tjetër shtesë për procesin zgjedhor kemi parapa edhe procedurat e rekrutimit të stafit, që të ofrojnë dëshmi që nuk janë të inkriminuar në vepra penale, dhe nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë familjare me ndonjërin nga kandidatët”, u shpreh ai.
Po ashtu gjatë mbledhjes të KQZ-së është aprovuar edhe kërkesa nga Aleanca Kosova e Re për shtyrjen e afatit për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.
Yll Buleshkaj nga zyra për regjistrimin të partive ka thënë se “Kjo kërkesë është e arsyeshme prapë se prapë arsyetimi duke u bazuar në masa kundër pandemisë ne si zyre kemi rekomanduar të shtyhen deri me 31 dhjetor të këtij viti”.
Ndërsa gjatë mbledhjes së KQZ-së është bërë e ditur se afati i fundit për t’i dërguar koalicionit për zgjedhjet lokale është data 30 qershor.