Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, tash kryetar i Nisma-s në Prizren, Zafir Berisha, ndër vite ka pasur jo pak telashe me drejtësinë. I ulur disa herë në bankën e të akuzuarve, Berisha së fundmi është shpallur fajtor për një rast që bëri bujë në qershorin e vitit 2022. Bëhet fjalë për sulmin ndaj Policisë në Prizren, për çka u ngrit aktakuzë ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Për kanosjen serioze, pengimin e punës së zyrtarëve policorë dhe sulmin ndaj tyre, Gjyjata Themelore në Prizren, javën e kaluar e ka shpallur aktgjykimin ndaj Berishës.
Siç mëson sinjali, trupi gjykues e ka dënuar Berishën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, por të njëjtin dënim e ka zëvendësuar me 1500 euro gjobë.
Berisha është shpallur fajtor pasi dyshohet se më 08 qershor të vitit 2022, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare – zyrtarin policor, për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës “Volvo“, pronë e Berishës, në xhamin e të cilës i kanë vendosur “njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje”.
Berisha akuzohet se me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet të njëjtit dhe i drejtohet me fjalët “çka ma ke lanë atë letër aty, kush je ti që më shënon gjobë he robt, ti nuk din kush jam unë, prej sot krejt robt kom me ti q*, more fëmijët kam me të mbytë”.
Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti me veprimet e tij, e kanos seriozisht se do ta sulmojë zyrtarin policor, ashtu që fillimisht njoftimin për kundërvajtje e ka grisur dhe copëzat e saj ia ka hedhur në fytyrë e më pas i është vërsulur që ta sulmojë. Në ato momente, zyrtari policor ishte detyruar që të përdor sprej për të zmbrapsur Berishën dhe për të evituar rrezikun.