Kryeministri Albin Kurti foli në mbledhjen e sotme të Qeverisë për arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, ndërsa tha se Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj po mbahen ende në burgjet e Serbisë për gjoja krime ndaj civilëve gjatë luftës.
Por Petrit Dula është liruar në prill të vitit të kaluar, ndërsa Nezir Mehmetaj po mbahet ende në burg. Gabimin Kurti duket se e kuptoi menjëherë pasi e lexoi fjalimin që ia kishin përgatitur.
“Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetartë tjerë të Republikës së Kosovës: Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj”, tha Kurti në mbledhje.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha në konferencë për media pas mbledhjes e korrigjoi këtë pjesë të fjalës së kryeministrit.
“Më lejoni që para se të nisë fjalën time për një nga pikat, konsideroj të rëndësishme që u votua në mbledhjen e Qeverisë, ta bëj një sqarim në raport me fjalën e kryeministrit Kurti. Menjëherë pasi që kryeministri Kurti përfundoi fjalën e tij, u konsultuam bashkë në raport me Petrit Dulën dhe Nezir Mehmetajn. Nezir Mehmetaj po mbahet ende në burgje në Serbi, ndërsa sa i përket Petrit Dules, kryeministri më theksoi se i njëjti është liruar, mirëpo në fjalën që i është përgatitur, edhe Petrit Dula edhe Nezir Mehmetaj janë futur në të njëjtin paragraf. Prandaj më lejoni ta sqaroj. Ideja ka qenë që po flasim për trajtimin mizor, po ashtu padrejtësitë që Serbia vazhdon t’i bëjë ndaj qytetarëve tanë, duke i mbajtur ata në paraburgim pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë”, tha ajo.
Ministrja tha se në transkriprin zyrtar të mbledhjes së sotme të Qeverisë do të qëndrojë ky version, dhe jo ai i gabuari që e lexoi Kurti.
“Siç e dini, Nezir Mehmetaj mbahet ende në paraburgim, ndërsa Petrit Dula është dënuar pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë për dy vite nga gjykata atje. Pra, edhe njëherë ta sqaroj që në transkriptin zyrtar të mbledhjes së Qeverisë këto do të jenë të harmonizuara dhe të sakta, dhe ju faleminderit shumë për mirëkuptimin tuaj”, tha Haxhiu.