Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se e vetmja valutë në Kosovë është euro.
Kurti u shpreh se në Kosovë dëshiron të ketë ligjshmëri, kushtetushmëri dhe rregullësi.
“Mirëpo në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit e shitblerjes është euro-ja. Ne nuk po dëshirojmë të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetushmëri dhe rregullësi”, deklaroi Kurti.
“Ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Republikën e Kosovës nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti
Këto deklarime Kurti i bëri gjatë ditës së sotme në Podujevë, ku ka bërë homazhe tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha në 27 vjetorin e rënies së tyre.