Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e së shtunës në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë, ku si pasojë një këmbësor ka pësuar lëndime trupore, raporton Gazeta Enigma.
Aksidenti ndodhi rreth orës 16:00, teksa këmbësori i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:00, në rrugën “Dëshmorët e kombit” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident rrugor, në mes të një automjeti dhe një këmbësori. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka pësuar lëndime trupore. I njëjti është dërguar për trajtim të nevojshëm mjekësor”, tha Ahmeti.
Po ashtu, është bërë e ditur se hetuesit e njësitit të trafikut rajonal po merren me rastin. /Gazeta Enigma/