Komisioni Evropian ka shprehur keqardhje se vendimi për dinarin është marrë pa një konsultim paraprak, duke marrë parasysh se ky vendim mund të ketë ndikim në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, ka thënë se për çështjen e dinarit duhet të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut.
“Komisioni i bën thirrje Kosovës që të sigurojë se periudha transitore është mjaftueshëm e gjatë për të gjetur një zgjidhje të negociuar në kornizat e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne nuk e kemi dënuar faktin se Kosova e përdor euron. Absolutisht jo. Madje as faktin se ata duan të miratojnë një rregullore se çfarë valute duhet të përdoret në Kosovë. Ajo që ne kemi komentuar është fakti se vendimi është marr pa një konsultim paraprak”, tha Mamer.
Bashkimi Evropian prej ditësh ka shprehur shqetësimin e tij për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe një zëdhënës i tij, Peter Stano tha se reagimi ka të bëjë me me mënyrën se si rregullorja e BQK-së është miratuar dhe me ndikimin dhe rreziqet që bart.
Reagimeve i është bashkuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit i cili tha se vendimet dhe veprimet e njëanshme të Kosovës do të mund të sjellin pasoja.
“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”.
Pavarësisht reagimeve të faktorit ndërkombëtar, përfaqësuesit e Qeverisë thonë se janë në të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese sa i përket dinarit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nuk beson se Kosova do të sanksionohet për shkak të dinarit serb.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion nga VV, Adnan Rrustemi, tha se nuk mund të ketë shmnangie nga nenet e Kushtetutës së Kosovës.
“Nuk ka asnjë arsye për të pasur telashe apo për ta humbur mbështetjen e SHBA-së sepse po flasim për rregullimin kushtetuese dhe ligjore. Nuk mund të shmangemi të një neni të kushtetutës”, tha ai për RTV21.
“Obligimi kushtetues se në Kosovë mund të përdoret vetëm euro nuk ka alternativë, nuk mund të diskutohet as nuk mund të jetë pjesë e diskutimeve politike”, shtoi ai.
Opozita ka shprehë shqetësim se Kosova rrezikon sanksione të reja për shkak të mos koordinimit të Qeverisë me faktorin ndërkombëtar. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikon Qeverinë se po e dëmton rrugën euroatlantike të Kosovës.
“SHBA-ja nuk po e vë në dilemë se vendimi i BQK-së është i ligjshëm, por po kërkohet koordinim. Duhet të ketë koordinim me SHBA-të që Kosova mos të ketë sanksione të cilat do të shkaktojnë pasoja në agjendën euroatlantike”, tha Tahiri për RTV21.Qeveria ka thënë se rregullorja e BQK-së ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, me tranzicion të lehtësuar.