Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kanë emërtuar zyrtarisht si paramilitar grupin e serbëve që sulmuan më 24 shtator në Banjskë.
Ndërkaq sipas tij, ShBA-të e marrin me dyshim që Milan Radojiçiq është udhëheqësi i grupit paramilitar.
“Ambasadorja Amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, mbrëmë e tha qartë në KS të OKB-së, ndër të tjera: Shtetet e Bashkuara përsërisin dënimin tonë për sulmet e koordinuara, të dhunshme paramilitar serbe ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator, të cilat rezultuan në vdekjen tragjike të një rreshteri të policisë së Kosovës.
Kanë kaluar katër muaj nga ky sulm dhe Serbia ende nuk ka kërkuar llogari nga ata që janë përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij. Në të vërtetë, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit mbetet i lirë në Serbi”.
Siç ka shkruar Ramadani në rrjetin social në Facebook “Klasifikimi i një sulmi, një grupi apo autorëve është punë jashtëzakonisht e rëndësishme. I tillë është edhe klasifikimi i këtij grupi si PARA-MILITAR.
Këtu në Kosovën tonë shumë hezituan ta klasifikonin kështu. Ndoshta për mungesë të dijes, ndoshta për mungesë përvoje, apo besimi institucional”.