Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Arsim Limani, i dyshuar për vrasje në tentativë ndaj gazetarit Alban Semili.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
“Pas procedurës së provave, me analizimin dhe vlerësimin e provave të pranuara padyshim është vërtetuar se tash i akuzuari, Arsim Limani e ka kryer veprën penale vrasje e rënë në tentativë dhe nga kjo prokuroria i propozon gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Dhe se me rastin e caktimit dhe lartësisë së dënimit që të merr parasysh dëshmitarët që kanë qenë të propozuar në procedurë dhe që kanë qenë në seancë dhe që të akuzuarit t’i shqiptojë dënimin adekuat”, tha ajo.
Ndërkaq gazetari Selimi ka thënë se sulmi ndaj meje e posaçërisht ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes time, me tentativë vrasjen mizore, nuk më ka bërë kurrë të mendoj se a duhet të vazhdoj të kryej punën time.
“Unë, bashkëshortja, fëmijët dhe prindërit e mi kemi kaluar një vit të rëndë e traumatik pas këtij sulmi që mund të ishte me pasoja fatale po të mos reagonin fqinjët dhe kalimtarët. Frika posaçërisht tek fëmijët vazhdon të jetë e madhe dhe ky sulm ka ndryshuar rutinën tonë të të jetuarit dhe ka ndikuar edhe në mësime tek fëmijët, të cilët kanë qenë ndër shembujt më të mirë në klasët ku vazhdojnë mësimin”, ka deklaruar Selimi.
Gazetari ka shtuar se nuk do të dëshironte që askush ta provojë flakën në shtëpinë e tij mirëpo kjo do të përsëritet nëse gjykata tregohet e butë me një të akuzuar që ka pasur dënime paraprake për vepra të rënda kriminale dhe i njëjti ka guximin që t’i vë flakën shtëpisë së dikujt me qëllim siç është vërtetuar nga gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët, eliminimin fizik timin por dhe të familjes time, përfshirë fëmijët 15, 10 dhe 1 vjeç e gjysmë.
Fjala e plotë e gazetarit para prokurores:
Si palë e dëmtuar mbetem në tërësi pranë deklaratave të mia dhe akuzave të bëra nga Prokuroria Themelore kundër të akuzuarit për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, sepse në këtë proces gjyqësor pavarësisht zhdukjes së provave që flasin për veprimet që tashmë i ka pranuar i akuzuari, është provuar në tërësi se i njëjti e ka kryer veprën penale e cila i përshkruhet në aktakuzë.
I akuzuari, një recidivist me të kaluar kriminale të vërtetuar me aktgjykime të formave të prera po simulon të penduarin pa e pranuar motivin dhe shtyesin e kësaj vepre. Andaj, këtë pendesë gjykata nuk duhet ta pranojë si të sinqertë.
Unë tashmë kam hyrë në dekadën e tretë të punës time si gazetar hulumtues dhe redaktor i redaksisë hulumtuese dhe kjo ka qenë ndër ngjarjet më të rënda të përjetuara në karrierën time, pavarësisht rreziqeve nëpër të cilat kam kaluar, duke trajtuar tema mjaft sfiduese dhe sensitive në interes të publikut.
Asnjëherë nuk kam heshtur kundrejt krimit të organizuar, falsifikimeve, fajdeve, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore, keqpërdorimeve me tenderë, drogës dhe dukurive tjera që kanë cënuar shoqërinë tonë demokratike. Për këtë, puna ime si gazetar hulumtues është shpërblyer më shumë se dhjetë herë me çmimet më të larta për gazetari par exellancë, përfshirë çmimin e BE-së për gazetari hulumtuese, çmimet e UNICEF dhe Save the Chlidren si dhe KOMF për mbrojtjen e fëmijëve përfshirë edhe çmimin më të lartë të UNICEF Avokati i Fëmijëve, çmimin Rexhai Surroi për gazetari të shkruar, fitues i dyfishtë i çmimit të UDNP-së për luftë kundër korrupsionit, çmimit për Storien më të mirë të vitit 2016 të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shumë mirënjohje e falëmnderime të nivelit vendor dhe ndërkombëtar.
Sulmi ndaj meje e posaçërisht ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes time, me tentativë vrasjen mizore, nuk më ka bërë kurrë të mendoj se a duhet të vazhdoj të kryej punën time.
Porse, ky sulm më ka treguar sa të dobët janë mekanizmat hetues por edhe ata të drejtësisë, të cilët pavarësisht se e sollën të akuzuarin para gjykatës, ky proces u ‘kontaminua’ me ndërhyrje direkte, duke fshehur provat që kanë ekzistuar, prej momentit që i akuzuari mbushë koktejin e molotovit me benzinë, e deri tek momenti kur në kontejnerë afër ambulantës në Fushë Kosovë asgjëson rrobat me të cilat ka kryer krimin.
Unë, bashkëshortja, fëmijët dhe prindërit e mi kemi kaluar një vit të rëndë e traumatik pas këtij sulmi që mund të ishte me pasoja fatale po të mos reagonin fqinjët dhe kalimtarët. Frika posaçërisht tek fëmijët vazhdon të jetë e madhe dhe ky sulm ka ndryshuar rutinën tonë të të jetuarit dhe ka ndikuar edhe në mësime tek fëmijët, të cilët kanë qenë ndër shembujt më të mirë në klasët ku vazhdojnë mësimin.
E nderuara Gjykatë, nuk do të dëshiroja që askush ta provojë flakën në shtëpinë e tij mirëpo kjo do të përsëritet nëse gjykata tregohet e butë me një të akuzuar që ka pasur dënime paraprake për vepra të rënda kriminale dhe i njejti ka guximin që t’i vë flakën shtëpisë së dikujt me qëllim siç është vërtetuar nga gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët, eliminimin fizik timin por dhe të familjes time, përfshirë fëmijët 15, 10 dhe 1 vjeç e gjysmë.
Po të mos kishte qëllim kryerjen e vrasjes, ai shumë më kollaj do të digjte veturën e cila ka qenë e parkuar buzë rrugës dhe dëmet materiale do të ishin shumë të mëdha, dhe “porosia që ai thoshte se ka pasur qëllimin t’ma lë” do të shkonte gjithsesi në vendin e duhur.
Pra ai nuk e dogji veturën sepse e pa se në veturë nuk ishim as unë as familjarët e mi. Por, duke na vëzhguar në heshtje dhe me dinakëri siç e ka pohuar edhe vet, duke besuar fort se isha në shtëpi edhe unë dhe fëmijët e mi ai i vuri flakën shtëpisë duke provuar vrasjen mizore. Dhe si recidivist kriminal, asnjëherë nuk ka treguar pendesë të sinqertë pasi nuk ka treguar kurrë për motivin e veprimit të tij, duke lënë tek unë akoma të hapura shumë dilema për arsyet e sulmit. Po ashtu, ai gjithmonë ka ndryshuar deklaratat e tij dhe ka gënjyer haptas në përpjekjet për t’iu lajthitur edhe Juve si trup gjykues. I akuzuari dhe as avokati i tij nuk janë sjellur me respekt për të dëmtuarit dhe dëshmitarët në këtë proces, për çka, ju si trupë gjykuese keni dhënë edhe vërejtje gjatë seancave gjyqësore.
Dhe unë sot nuk kam asnjë dilemë që pas këtij sulmi fshihet një “dorë e fortë” kriminale e cila të akuzuarin e ka përdorur vetëm si një mjet për t’më hequr qafe mua dhe familjen time.
Andaj, meqë Gjykata e as organet hetuese nuk kanë arritur të sigurojnë prova se kush është kjo “dorë të fortë” kriminale, unë kërkoj nga Ju si trup gjykues që t’i falni besimin Prokurorisë së Shtetit dhe argumenteve të shtjerra në këtë gjykatë e që janë të shumëta dhe që vërtetojnë pa asnjë mëdyshje dashjen dhe paramendimin e kryerjes së veprës penale nga i akuzuari.
Për të krijuar këtë vend e shtet është derdhur shumë gjak dhe lirinë e këtij vendi nuk guxojmë ta lëmë në duart e kriminelëve të cilët marrin guximin të sulmojnë për vdekje për shkak të punës apo mendimit ndryshe.
Ju falëmnderit !