Çdo e mire e ka një të keqe! Liberalizimi i vizave dhe liria e lëvizjes për kosovarët ka ndikuar edhe në ikjen e nxënësve nga shkollat në vend, shkruan Gazeta “Enigma”.
Liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës ka bërë që shumë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme të kërkojnë fletë-kalime për migrim jashtë vendit.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me drejtorinë e Arsimit në Komunën e Gjilanit të cilët kanë njoftuar se nga 1 janari i këtij viti e deri më tani nga kjo komunë 34 nxënës kanë marr fletë-kalime për migrim jashtë vendit.
“Nga 1 janari i këtij viti e deri më tani nga Komuna e Gjilanit 34 nxënës kanë kërkuar fletë-kalime për migrim jashtë vendit dhe për bashkim familjar”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan për “Enigmën”.
Tutje ata kanë njoftuar se “shumica e nxënësve që kanë marr fletë-kalime ishin duke vijuar mësimet në arsimin fillor”.
Ndërsa një pjesë shumë e vogël e tyre kanë pretenduar se do të kthen sërish për të vazhduar shkollimin.
Pos Komunës së Gjilanit edhe në Komunën e Ferizajt vetëm brenda një muaji pas liberalizimit të vizave 54 nxënës kanë kërkuar fletë-kalime për migrim jashtë vendit.
Këtë e ka bërë të ditur Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj.
Ai në një prononcim për media ka deklaruar se kjo dukuri për drejtuesit e arsimit në Ferizaj po shihet si mjaftë shqetësuese.
“Besoj se është një numër i madh sepse nëse llogarisim që brenda një muaji kanë marr fletë-kalime 54 nxënës atëherë duhet ta përcjellim situatën dhe duhet të jemi të kujdesshëm, dhe të shohim si do të jetë ne nuk jemi ata që mund ta ndalojmë një gjë të tillë por me gjithë atë duhet të kemi kujdes në mënyrë të shohim se si veprojmë në ato shkolla sidomos ku është numri i vogël i nxënësve . Nëse kemi nxënës të cilit hiqen nga ato shkolla atëherë po besojë se numri i nxënësve në ato shkolla do të bie akoma më tepër dhe ato shkolla mund të jenë të rrezikuara më tepër”, tha për RTK-në, Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj.
Kujtojmë se për shkak të numrit të vogël të nxënësve në këtë vit shkollor është mbyllur shkolla në fshatin Gërlicë të Ferizajt. /GAZETA ENIGMA/